Roma ka një adresë të re për luksin: Nobu Hotel Rome, projekti më i fundit i aktorit të famshëm Robert De Niro dhe producentit Meir Teper. Hoteli me 5 yje është hapur në rrugën ikonike Via Veneto dhe shënon hyrjen e brandit Nobu në kryeqytetin italian.
I ndërtuar mbi strukturën e ish–Grand Hotel Via Veneto, ky destinacion i ri është transformuar tërësisht pas një rinovimi që ka kushtuar mbi 135 milionë euro. Godina historike është kthyer në një hapësirë moderne, ku minimalizmi japonez takohet me elegancën klasike romake.
Nobu Hotel Rome numëron 122 dhoma dhe suita, të konceptuara si oaze qetësie mbi zhurmën e qytetit. Në tarracën e fundit ndodhet një rooftop bar me pamje mbi çatitë e Romës, i menduar për aperitivë në perëndim dielli dhe mbrëmje me muzikë live. Hoteli ofron gjithashtu një spa, një qendër fitnesi të pajisur me standardet më të fundit dhe, mbi të gjitha, restorantin e parë Nobu në Romë.
Menuja e restorantit sjell kuzhinën e famshme të Nobu-t, me ndikime japoneze dhe perëndimore, ndërsa ambienti ruan stilin e sofistikuar që karakterizon zinxhirin ndërkombëtar të hoteleve dhe restoranteve.
Me këtë hapje të re, Roma jo vetëm pasuron hartën e saj të hoteleve luksoze, por bëhet edhe pjesë e rrjetit ekskluziv Nobu Hotels, i pranishëm në destinacionet më të kërkuara të botës.
Për ata që kërkojnë të përjetojnë “la dolce vita” në një version bashkëkohor, Nobu Hotel Rome duket se do të kthehet shumë shpejt në një nga adresat më të dëshiruara të qytetit.
View this post on Instagram
