Në zemër të Hokkaidos, në majën e Rusutsu Resort, po formësohet një filozofi e re e luksit malor: “NOT A HOTEL RUSUTSU”. Ky nuk është hotel në kuptimin klasik të fjalës, por një strehë private alpine, ku koha ngadalësohet dhe natyra bëhet pjesë e ritmit të jetës. Koncepti ndërthur elegancën e shërbimeve të një resorti luksoz me ndjesinë e ngrohtë të një shtëpie personale, të menduar për qëndrime të gjata, stine të tëra dhe përjetim të plotë të peizazhit.

Projektuar me mjeshtëri nga studio ikonike Snøhetta, rezidenca shpalos një estetikë të pastër nordike: xhama gjigantë që pasqyrojnë majën madhështore të Mount Y?tei, dru i gjallë, gur natyral dhe linja që ndjekin qetësinë e natyrës. Çdo detaj është menduar për të krijuar atë ndjesi të rrallë të të jetuarit “përbrenda peizazhit”, ku ambientet rrjedhin natyrshëm drejt pistave të skive, sikur muret të zhduken në ajrin kristal të Alpeve japoneze.

Pronësia fleksibël mbi këtë hotel nga rezidenca e plotë deri te modelet e bashkëpronësisë, e bëjnë këtë projekt jo vetëm ekskluziv, por edhe vizionar. Kur s’je aty, prona mund të bëhet pjesë e një rrjeti të kuruar mikpritjeje, duke e kthyer luksin në një investim elegant. Dhe pastaj vijnë ritet e përditshme: hyrja direkte në pistë, sauna private pas një dite në dëborë, një ‘onsen’ (banjë tradicionale japoneze) në ajër të hapur nën yje që krijon ritualin më të bukur të dimrit japonez; një atmosferë ku heshtja tingëllon si luks i pastër.