
Një projekt kinematografik ndërkombëtar pritet të rikthejë në ekran një nga plagët më të thella të Ballkanit, luftën e Kosovës, dhe masakrën e Reçakut, me një kast që numëron dhjetëra emra të Hollywood-it dhe me Robert De Niron në rolin qendror. Lajmin e konfirmoi producenti kosovar Fitim Krasniqi, i cili prej vitesh punon për tregun global të filmit, në një intervistë me Blendi Fevziun.
“Është historia e babait tim, dhe masakrën e Reçakut, dhe luftës që ka ndodhur në Kosovë nga fillimi deri në fund,” tha Krasniqi, duke shtuar se De Niro ka pranuar të portretizojë pikërisht rolin e të atit të tij.
Në qendër të filmit qëndron fati dramatik i të atit të producentit: i plagosur gjatë luftës, e më pas i djegur për së gjalli.
Masakra e Reçakut do të shërbejë si nyja historike dhe morale e ngjarjes, ndërsa filmi do të ndjekë harkun e plotë të luftës nga shpërthimi i saj e deri në mbarim përmes syve të një familjeje dhe një komuniteti që mban ende barrën e kujtesës.
Sipas Krasniqit, projekti ka tërhequr 71 aktorë nga Hollywood-i, me kontrata tashmë të nënshkruara. Emri i Robert De Niros si figurë qendrore e filmit i jep projektit një gravitet unik: një legjendë e kinemasë në shërbim të një historie të vështirë, të vërtetë dhe thellësisht humane.
Xhirimet ishin parashikuar të nisnin këtë vit, por janë shtyrë për arsye organizative dhe pritet të fillojnë vitin e ardhshëm. Koha shtesë, thotë ekipi, do t’i shërbejë përgatitjes dhe saktësisë historike, që narrativa të ndërtohet me kujdesin që meriton.
View this post on Instagram
