
Yll Limani ka surprizuar rrjetin dhe fansat e tij me një lëvizje drastike në Instagram, vetëm pak kohë pas suksesit të madh të bashkëpunimit me yllin botëror, Rita Ora.
Këngëtari ka fshirë të gjitha postimet nga profili i tij, duke e lënë faqen krejtësisht bosh. I vetmi element i dukshëm mbetet fotoja e profilit: një rreth i thjeshtë, në një nuancë vjollce misterioze, që duket më shumë si simbol.
Një veprim i tillë nuk është rastësor. Në industrinë muzikore kjo strategji njihet si një “reboot” një lloj rifillimi i pastër estetik e narrativ, që artistët e mëdhenj përdorin shpesh si sinjal të fortë se diçka e madhe po vjen: një album i ri, një fazë e re kreative, ose një transformim i plotë i imazhit.

Duke pasur parasysh jehonën ndërkombëtare të “All Natural”, duetit të tij me Rita Orën, ku Ylli performon pjesërisht edhe në shqip, kjo lëvizje e menjëhershme në rrjete sociale ngre shumë pikëpyetje. A po shfrytëzon Ylli vëmendjen globale për të bërë hapin e radhës, edhe më ambicioz, në skenën ndërkombëtare?
“All Natural” u konsiderua një pikë kthese jo vetëm për karrierën e tij, por edhe në raportin e skenës shqiptare me atë botërore. Ishte hera e parë që Rita Ora bashkëpunoi zyrtarisht me një artist nga Kosova, duke e quajtur projektin shumë personal dhe të rëndësishëm për të.
Tani, profili i Yllit, i “veshur” vetëm me ngjyrën vjollcë, një ngjyrë që lidhet me misterin, kreativitetin dhe mbretërinë, duket si preludi i një kapitulli të ri. Gjithçka lë të kuptohet se jemi në prag të një projekti që nuk do të jetë thjesht këngë apo videoklip, por një transformim i plotë stilistik e identitar, duke vulosur nisjen e një epoke të re për Yll Limanin.
