
Billy Bob Thornton, i cili ishte i martuar me Angelina Jolie nga viti 2000 deri në 2003, në një intervistë të re është rikthyer të flasë për ish-bashkëshorten: “Kemi kaluar momente të mrekullueshme së bashku. Dhe kemi mbetur miq shumë të mirë”.
U martuan vetëm për tre vite, nga 2000 në 2003. Megjithatë martesa mes Billy Bob Thornton dhe Angelina Jolie bëri shumë bujë. Edhe për shkak të ekstravagancave të tyre. Në atë kohë, për shembull, të dy mbanin varëse të veçanta: secili kishte në qafë një flakon të vogël që përmbante gjakun e partnerit.
Tani, 70-vjeçari Thornton, i intervistuar nga Rolling Stone, është rikthyer të komentojë mbi varëset që shkaktuan skandal. Ai shpjegoi:
“Ishte një ide romantike, asgjë më shumë. Por njerëzit thoshin se ishim vampirë, se pinim gjakun e njëri-tjetrit, se jetonim në një burg.”
Në të vërtetë, sipas tij, ajo periudhë “ka qenë një nga më të bukurat e jetës sime.”
Ideja e varëseve me gjakun, siç e ka shpjeguar Thornton edhe më parë, ishte e Jolies:
“Një ditë Angie u kthye në shtëpi me dy medalione transparente, ato ku zakonisht vendos një foto të gjyshes apo diçka të tillë. Në atë periudhë kalonim shumë kohë të ndarë, sepse ajo ishte në Kamboxhia duke xhiruar Lara Croft: Tomb Raider, ndërsa unë isha në xhirimet e Monster's Ball. Ndodheshim në anë të ndryshme të botës dhe takoheshim çdo dy javë.”
Aktorja mendoi se “do të ishte shumë romantike të merrnim një brisk, të prisnim pak gishtat dhe të vendosnim disa pika gjaku në medalione, duke i mbajtur në qafë siç mbajnë prindërit një tufë flokësh të fëmijës së tyre.”
Thornton është i mësuar me martesat: ai ka shkuar në altar plot gjashtë herë dhe, pas pesë përpjekjeve të dështuara, prej dymbëdhjetë vitesh është i martuar me aktoren Connie Angland. Megjithatë, siç ka treguar në intervistën e re, ai ruan akoma kujtime të ngrohta nga vitet me Jolien (e cila më parë, nga 1996 në 1999, kishte qenë e martuar me aktorin Jonny Lee Miller):
“Angelina dhe unë kemi kaluar momente të mrekullueshme së bashku. Dhe ndarja ishte shumë civile. U ndamë thjesht sepse mënyrat tona të jetesës ishin shumë të ndryshme. Por kemi mbetur miq të shkëlqyer.”
E njëjta gjë nuk mund të thuhet për martesën e famshme të Jolies me Brad Pitt. Pas tetë vitesh betejash ligjore, dyshja arritën marrëveshjen e divorcit në dhjetor 2024. Por lufta në gjykatë vazhdon.
