
Largimi i menjëhershëm i Mentor Hazirit nga shtëpia më e famshme në Kosovë, pa kaluar as 24 orë nga hyrja e tij, ngriti shumë pikëpyetje te publiku. Mbrëmë, këngëtari vendosi të flasë hapur dhe të tregojë arsyen e vërtetë, një histori dhimbjeje që qëndron shumë larg lojës dhe strategjive televizive.
Nuk bëhej fjalë as për tërheqje taktike, as për presion mediatik. Arsyeja ishte një tragjedi e rëndë familjare.
Me një rrëfim prekës, Mentori zbuloi se vetëm një ditë para se të futej në Big Brother VIP Kosova, kishte përcjellë djalin e dajës së tij, një person shumë të dashur, trupi i të cilit ishte sjellë nga Amerika.
“Dhimbja ishte shumë e madhe për t’u përballuar. Një ditë para se të hyja, kam varrosur djalin e dajës… një njeri që ka qenë shumë i afërt me mua”, shkruan ai.
Ai pranon se u përpoq të ishte i fortë dhe ta mbante fjalën e dhënë ndaj produksionit, por gjendja e tij emocionale nuk i lejonte të vazhdonte:
“Zemërthyerja ishte më e madhe se ky vendim dhe ajo bëri të vetën”, shkruan Mentori.
Megjithatë, edhe në mes të kësaj situate të rëndë, ai gjen vend për mirënjohje: falënderon produksionin për mirëkuptimin dhe banorët i quan “fantastikë”.

