E ftuar në emisionin “Rudina” në TV Klan, Jonida Maliqi është ndalur pas shumë vitesh tek një nga kapitujt më të ndjeshëm të jetës së saj personale: divorci nga ish-bashkëshorti, me të cilin ndau plot 17 vite jetë.

Në fillim, këngëtarja rrëfeu se lidhja e tyre kishte nisur në një moshë shumë të re, çka sipas saj, e bën edhe më të kuptueshme faktin që me kalimin e viteve rrugët mund të ndahen:

“Unë jam lidhur në moshë fare të re, unë jam lidhur në moshën 17-vjeçare dhe kam kaluar 17 vite me babain e Danit. Jam divorcuar në moshën 34-vjeçare, sigurisht që Dani ishte shumë i vogël, ishte 5 vjeç dhe kisha nevojë për të qenë familje."

Sot, me më shumë distancë dhe pjekuri, Jonida e sheh qartë se mosha e re ka qenë një nga faktorët që e çuan këtë histori drejt një fundi të natyrshëm:

"Megjithatë ishte një zgjedhje ku mendoj që erdhi si pasojë e kohës kur njihesh në moshë fare të vogël, njerëzit fillojnë mendësojnë ndryshe, reagojnë ndryshe, evoluojnë dhe ti nuk je më ai personi që ke qenë dikur; dhe sidomos ne nënave, grave na ndodh një lloj metamorfoze dhe fillojmë e shikojmë me një tjetër këndvështrim, prioritet është fëmija, jo më vetja jote.”

Në reflektimin e saj, Jonida ndalet edhe te ideja e dinjitetit personal dhe mirëqenies emocionale, duke theksuar se ndonjëherë, edhe nëse çon në ndarje, një vendim i tillë është më i shëndetshmi për të gjithë:

“Kështu që mendoj më mirë të jesh në një familje të minimizuar, por të jesh i lumtur brenda katër mureve të shtëpisë, sesa të kesh pasiguri, të kesh konflikte dhe mos të jesh në paqe me veten.
Mendoj që divorci nuk është i thjeshtë, në mënyrë absolute, por nuk është edhe fundi i botës. Ne kemi lindur vetëm dhe vetëm do të vdesim. Unë mbi të gjitha dua më së shumti veten time dhe kur dua veten time do të dua çdokënd që do të më respektojë, do të më vlerësojë dhe do të rrugëtojë me mua në të mirë e në të keq.
Mendoj që dy prindër duhet të jenë pranë njëri-tjetrit në të mirë dhe në të keq.”