
Karim Adeyemi dhe Borussia Dortmund kanë dalë publikisht me një reagim pas ditëve të trazuara që pasuan lajmin për urdhrin penal ndaj 23-vjeçarit, i cili u gjet fajtor për posedim të paligjshëm të armëve. Klubi gjerman ka vendosur që, përveç pasojave ligjore, sulmuesi të kryejë edhe punë komunitare.
Pas kthimit nga impenjimet me kombëtaren, zyrtarët e Dortmundit zhvilluan një takim të posaçëm me lojtarin ditën e mërkurë. Drejtori i Përgjithshëm Lars Ricken, drejtori sportiv Sebastian Kehl dhe Adeyemi u ulën së bashku para seancës stërvitore dhe, siç theksoi Ricken, folën “gjatë dhe qartë për sjelljen e tij”.
“Ne e morëm çështjen shumë seriozisht, sigurisht,” citohet të ketë thënë Ricken. “Ai e pendon thellë gabimin e tij.”
Ai shtoi se duhet marrë parasysh edhe fakti “që ai ka paguar një gjobë të rëndë, askush nuk u lëndua, dhe lojtari nuk do të ketë një dosje kriminale.”
Sipas Kicker, Adeyemi nuk do të ndëshkohet me një gjobë tjetër nga klubi, por, në bazë të një marrëveshjeje mes Ricken dhe drejtorit sportiv të DFB-së, Rudi Völler, ai do të kryejë punë komunitare. Sulmuesi do të marrë pjesë në seanca stërvitore me fëmijët në Dortmund North City League.
Ricken theksoi gjithashtu se Adeyemi ka dhënë një premtim të qartë: ai nuk do të përsërisë më një veprim të tillë. “Ne i besojmë që do ta mbajë fjalën,” u shpreh ai.
Vetë lojtari ka folur për herë të parë publikisht për rastin, duke dhënë versionin e tij dhe duke pranuar plotësisht fajin:
“Në fillim të vitit 2024, nga pakujdesia dhe pa menduar vërtetë për atë që po bëja, porosita në internet një të ashtuquajtur ‘Misteri Boks’. Ajo përmbante objekte që janë të paligjshme sipas ligjit të armëve. Shumë muaj më vonë, paketa u dërgua dhe përfundoi e paprekur në stacionin e policisë.”
Ai vijoi duke e quajtur veprimin e tij një gabim të rëndë:
“Ishte sërish një gabim i madh. Një gabim që e pendova thellësisht, që më kushtoi shumë dhe për të cilin ndjej keqardhje të madhe.”
Adeyemi pranoi se është i vetëdijshëm për rolin e tij si figurë publike:
“E di që jam në qendër të vëmendjes dhe kam përgjegjësi të jem një shembull. Nuk i qëndrova kësaj përgjegjësie. Pikërisht për këtë më dhemb kaq shumë fakti që veprova kaq pakujdesshëm. Kam mësuar nga kjo, më shumë sesa mund ta shpreh me fjalë. Dhe ju premtoj se do të shmang gabime të tilla në të ardhmen. Faleminderit të gjithëve që ende më besojnë dhe më mbështesin.”
Me këtë deklaratë të gjatë dhe autokritike, lojtari i Borussia Dortmundit synon të mbyllë një kapitull të pakëndshëm dhe të rikthejë fokusin te futbolli dhe te përgjegjësia, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.
