Në spektaklin e së premtes në Big Brother VIP Kosova 4, një klip me banorët që diskutonin për familjen, martesën dhe krijimin e saj ndezi emocione të forta si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj. Tema e ndjeshme e paragjykimeve ndaj grave që nuk janë të martuara apo nuk kanë fëmijë mori një tjetër dimension kur në debat u përfshi opinionistja e mbrëmjes, këngëtarja e njohur Leonora Jakupi.
Teksa banorët flisnin për presionin shoqëror dhe pritshmëritë që vendosen mbi gratë, Leonora zgjodhi të ndajë një pjesë shumë personale të jetës së saj. Ajo pranoi se, për vite me radhë, ka qenë në qendër të komenteve dhe gjykimeve vetëm për faktin se nuk është e martuar dhe nuk ka fëmijë.
“Personalisht për veten time shpesh jam gjykuar: pse s’po martohesh? Pse s’po krijon familje? Pse s’ke fëmijë?”, tha ajo, duke artikuluar pyetjet e njohura që shumë gra dëgjojnë vazhdimisht nga familja, rrethi apo shoqëria.
Megjithatë, artistja theksoi se mungesa e një familjeje tradicionale në jetën e saj nuk vjen nga mungesa e dëshirës.
“Personalisht konsideroj që fëmijët janë bekim dhe familja është bekim. Mirëpo, ndonjëherë rrethanat e jetës, përkushtimi i madh ndaj familjes, vitet të kalojnë aq shpejt sa që e vëren që ndien një mungesë të madhe, një zbrazëti që dikur duhet ta plotësosh”.
