Kategoria “New Artist” e “Këngës Magjike” ka fituesin e saj: Auron Deva!
Jonida Maliqi dhe Enkel Demi, të cilët i kanë ndjekur që në fazën e parë, i dorëzuan kupën e “Best New Artist”.
Kënga “Mantra” i solli fat në garën magjike, e cila në këtë kategori ka qenë befasuese.
“Unë dua të them vetëm një gjë të shkurtër. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe një nga më të veçantat që kam pasur në televizion, falë teje (i drejtohet Annës). Nuk është ide e keqe që vitin e ardhshëm babai të shkojë në Maldive bashkë me Kelin. Dua të të them një gjë krejt ndryshe. Ti je një baba i mrekullueshëm, por ti je një shok i jashtëzakonshëm. Miqësia jote është krejt e veçantë, por ka edhe kosto. Unë shtoj kile kur rri me ty, prandaj rrugët tona këtu ndahen”, tha Enkel Demi.
“I kam edhe unë dy fjalë. në fakt, në këtë skenë kam shkelur për të parën herë në edicionin e parë të ‘Këngës Magjike’ në moshën 17-vjeçare. Mendohej që asokohe përfaqësoja ‘New Artist’. Ma kujtove ti qëparë. Pikërisht në 10-vjetorin e ‘Këngës Magjike’ kur ti ke lindur, unë kam fituar vendin e parë në ‘Kënga Magjike’ dhe ja ku jemi sot pas 25 vitesh, ku jam shumë krenare që kam qenë pjesë e panelit dhe jam munduar të vlerësoj me drejtësi e profesionalizëm artistët e rinj të cilët në këtë edicion kanë qenë të jashtëzakonshëm me zëra dhe produksione fantastike”, tha Jonida Maliqi.
Juria tha se ka vendosur në mënyrë unanime për “Mantra”. I emocionuar, Auron Deva falënderoi jurinë e publikun dhe tha:
“Është një kënaqësi e madhe të vlerësohesh pas shumë vitesh punë. Unë kam marrë shumë komplimente për aftësitë e mia”, tha ai duke shprehur mirënjohje për bashkëpunëtorët, familjarët dhe Ardit Gjebrean e Aldon Lipen për mundësinë që artistët e rinj të shpalosin veten.
“Dua ta përfundoj me një thënie të një tekstshkruesi shumë të madh shqiptar të kohëve moderne se gjithçka që unë du, vjen te unë, më don ma shumë mu”, një frazë e këngës së tij fituese.
Silvana Rusi, Dafina Aliu, Auron Deva dhe Luna Çausholli ia dolën të rrëmbenin vëmendjen e jurisë dhe dashurinë e publikut me këngët e tyre.
Tashmë të katër artistët i përkasin zyrtarisht kategorisë “Big”.
