Nga Ermal Peçi
Namiri, përveçse mik, është një nga ata njerëz që e respektoj jo vetëm për karakterin, por edhe për pasurinë e tij intelektuale. Pikërisht sepse është ai, vendosa të ndaj disa mendime ndryshe nga ai për romanin e Ben Blushit. Për çështje kulturore, replikoj vetëm me njerëz që kanë një botë të thellë shpirtërore dhe një horizont të gjerë letrar, dhe Namiri është një prej tyre.
Debati mbi librin “Jam Mysliman” të Ben Blushit është bërë shpesh mbi bazën e një keqkuptimi themelor: pritjes që romani të jetë një territor ku autori duhet të zhduket, të heshtë dhe të mos njihet. Por letërsia nuk funksionon me rregullore fikse, sepse në thelb ajo nuk është as shkencë ekzakte dhe as manual teknik; ajo është pikërisht territori ku autori, rrëfimtari dhe ideja ndërthuren në mënyra të ndryshme, shpesh të papërsosura, por letrare në thelb. Letërsia ka një traditë shumë më të gjerë, më të ndërlikuar dhe më elastike sesa kërkojnë disa kritika që kufizohen vetëm te një model klasik i rrëfimit.
Nuk është e vërtetë që prania e autorit në rrëfim e përjashton një vepër nga letërsia. Përkundrazi, romani modern dhe bashkëkohor është i mbushur me autorë që flasin, ndërhyjnë, shfaqen, përdorin autobiografinë dhe e ngjyhen tekstin me bindjet e tyre. Nga Kundera, te Pamuk, te Kadare, letërsia ka njohur prej dekadash romanin që përzien narrativën me esenë, fikcionin me reflektimin, personazhin me idenë. “Jam Mysliman” i Blushit hyn pikërisht në këtë traditë. Koha kur romani duhej të ishte një skenë pa autor ka mbaruar prej kohësh. Prandaj edhe pretendimi që libri nuk është roman sepse “dëgjohet zëri i autorit” është një lexim i vjetruar i nocionit të letërsisë.
Është e vërtetë se Blushi rikthehet shpesh te tema e identitetit, fesë, historisë, raportit me traditën. Por a janë këto “ide të ricikluara”? Apo janë pjesë e një universi të vazhdueshëm letrar?
Çdo shkrimtar ka tematikat që e ndjekin, obsesionet që e shtyjnë të shkruajë. As Blushi nuk bën përjashtim. Identiteti, fetë, tensionet e historisë, raporti me traditën, këto nuk janë “teza të vjetra të ricikluara”, por graviteti i brendshëm i universi të tij letrar. Të kërkosh që çdo libër të trajtojë tema krejt të reja do të thotë të mos kuptosh natyrën e procesit krijues. Letërsia nuk ndërtohet mbi habinë, por mbi thellimin. Nëse tema të ngjashme shfaqen te “Të jetosh në Ishull” dhe te “Jam Mysliman”, kjo tregon koherencë, jo varfëri.
Pretendimi tjetër, se debati publik e zhvesh librin nga natyra e tij letrare, ka pikëpyetjet e veta. Romane të mëdha kanë provokuar, kanë ndarë shoqëri, kanë shtruar pyetje të pakëndshme. Letërsia nuk është dekor muri; letërsia ka të drejtë të shqetësojë, të trazojë dhe të thumbojë. Fakti që një libër ndez polemika nuk e bën publicistikë; e bën të gjallë. Në këtë pikë, Blushi ka meritën që ka hapur një kapitull të ri brenda debatit publik shqiptar, duke përdorur mjetet e letërsisë për të vënë gishtin në plagë. Kjo nuk është zgjedhje marketingu, por zgjedhje e vetë tekstit: një roman që provokon sepse identiteti shqiptar është ende një tokë e pasqaruar.
Nuk qëndron as pretendimi se romani nuk ka vlerë sepse “nuk ka reagim nga komuniteti i prekur”, sikur letërsia të jetë një kuti ankesash. Arti nuk detyrohet t’u pëlqejë atyre që përmenden në të. Leximi është individual; heshtja është po aq reagim sa zëri, dhe letërsia nuk matet me numrin e përgjigjeve të një komuniteti apo se si reagon shoqëria. Nëse komunitetet nuk kundërshtojnë, kjo nuk thotë asgjë për cilësinë e romanit. Letërsia flet me mjetet e saj, jo me kronikën ditore, madje flet edhe me faktin që mund të jetë libri më i shitur në panair.
E vërteta është kjo: “Jam Mysliman” është roman sepse ka strukturë narrative, personazhe, një bosht rrëfimi, një univers të brendshëm dhe një tension që nuk mund të ekzistonte jashtë letërsisë. Ai nuk është ese e zgjatur, pavarësisht se përfshin reflektime, dhe nuk është as pamflet, edhe pse prek tema të mprehta. Nuk është tekst politik, edhe pse vë gishtin te plagë sociale. Është roman pikërisht sepse i kombinon të gjitha këto në një rrëfim që lexuesi e ndjek si histori, jo si editorial.
Pikërisht këtu qëndron forca e librit: tek fakti që ai nuk është romani që presin të tjerët, por romani që ka zgjedhur të shkruajë autori. Ai e zgjeron kufirin e letërsisë shqiptare drejt një forme më moderne, më të hapur, më bashkëkohore, ku idetë dhe trillimi nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por bashkëjetojnë natyrshëm. Në këtë kuptim, kritika që e sheh librin vetëm si provokim ose si artikull të zgjatur është duke e lexuar gabim, ose thjesht duke e lexuar me syrin e publicistikës.
“Jam Mysliman” nuk është libër i qetë, por është vepër letrare. Një roman për identitetin, frikën, historinë dhe dilemën moderne të një shoqërie që ende nuk është në paqe me veten. Çdo roman i mirë fillon pikërisht aty ku fillon tensioni dhe në këtë rast, tensioni është pikërisht materiali letrar që Blushi ka zgjedhur të punojë.
Në fund të ditës, letërsia nuk pyet çfarë zhurme bën libri kur del; pyet vetëm çfarë zëri të brendshëm ka kur lexohet. “Jam Mysliman” e ka këtë zë të dallueshëm, të lirë dhe të patrembur.
“Pyetja që lind natyrshëm është: çfarë po ndodh me letërsinë moderne shqiptare dhe a ka sot Shqipëria një shkrimtar më modern se Ben Blushi?”
