
Ky është peshqiri $925 i “Balenciaga”-s, i cili u prezantua jo si i tillë, por si një fund në koleksionin “Spring 2024”, duke vënë në lëvizje një pjesë të madhe të kritikëve të modës dhe mediave. Influencerët e konsideruan si më të shtrenjtin në botë, duke e krahasuar me artikuj shtëpie si ato të IKEA-s apo Primark-ut.
Materiali i fundit është “terry-cotton” i cilësisë më të lartë, apo njohur ndryshe si pambuk i trashë, duke dhënë edhe ndjesinë e peshqirit të vërtetë. Ndërsa pjesa e brendshme prej lëkure, kapja me një rrip me ngjitje dhe dy butonat në bel e mbajnë fiksuar si një fund. Marka gjithashtu thekson se ky është një produkt i cili mund të lahet vetëm në pastrim kimik.
Detajet përfshijnë logon e “Balenciaga”-s të qëndisur në një cep, dhe ngjyrat në të cilat e gjeni janë zakonisht gri, blu e errët apo e bardhë. Balenciaga e stiloi në disa mënyra fund-peshqirin e saj, duke përfshirë një kombinim me xhaketë të zezë të gjerë, triko kashmiri, streçe të zeza apo pantofla me platformë. E ndonëse tashmë me çmim më të lartë se më parë dhe shumë i limituar në sasi, vazhdon të ketë oferta për të në dyqane stil “boutique”, të cilët ofrojnë opsionin “pre-order” në ngjyrën gri ose bezhë.
Demna, drejtori kreativ i “Balenciaga”-s asokohe, kishte krijuar filozofinë e tij origjinale për të kthyer artikuj të rëndomtë të përdorimit të përditshëm, si në rastin konkret një peshqir dushi apo një qese mbeturinash, në pjesë të koleksioneve të modës së lartë. Kjo taktikë marketingu jo vetëm ka arritur të krijoj një klientelë besnike, e cila prej vitesh shpenzon qindra e mijëra dollarë për këto krijime, por gjithashtu tërheq diskutime, polemika dhe një vëmëndje të vazhdueshme. Mesa duket për Demnën teoria se nuk ka publicitet të keq, por vetëm publicitet, ka funksionuar.
Ndërsa sa për ju, pyetja eshtë: a do të shpenzonit dy muaj qeranë e shtëpisë për një peshqir gri?
