Në sezonin e fundit të 'The Summer I Turned Pretty', Conrad i thotë lamtumirë Belly-t me një fjalim të dhimbshëm dhe një puthje në ballë, pak para martesës së saj me Jeremiah. Një gjest që rikthehet edhe në 'Nobody Wants This', ku Noah dhe Joanne shpesh shkëmbejnë përkëdhelje të vogla, mes tyre edhe atë lëvizje tipike: ai që i hedh krahun në supe dhe e puth lehtë në ballë, ndërsa vazhdojnë të ecin. Në serialet romantike, puthja në ballë është simbol i dashurisë së vërtetë… por njëkohësisht edhe paralajmërim ndarjeje. Pikërisht mbi këtë ambiguitet TikTok ka hapur një debat të gjatë: është puthja në ballë një akt dashurie apo një shenjë fundi?

“Kur ai të puth në ballë dhe ti e di që do zgjasë maksimumi një javë,” shkruan një vajzë, e shqetësuar ndërsa shikon kamerën. Kjo frikë kolektive tashmë ka marrë emrin “forehead kiss of doom and despair”, “puthja në ballë e rrënimit dhe dëshpërimit”. Edhe vetë emri tingëllon si lajm i keq, por teoria është edhe më e zymtë: nëse gjendesh në një lidhje të paqartë, pra një situationship, dhe ai të jep një puthje në ballë, atëherë kjo konsiderohet shenjë se fundi është shumë afër.

Vajza të shumta në TikTok tregojnë eksperiencat e tyre: shumë prej tyre thonë se janë bërë ghost vetëm pak ditë (madje orë!) pas asaj puthjeje famëkeqe. Për brezin Millennial apo gjeneratat më të vjetra, puthja në ballë është një gjest i butë dhe intim. Për Gen Z, është tmerri i vërtetë.

Ky mosbesim nuk lidhet vetëm me puthjen në ballë, por me shumë gjeste të tjera që në marrëdhëniet moderne shpesh të paqarta, afatshkurtra dhe pa kufij të qartë marrin kuptime të reja. Së fundmi, revista Dazed shkroi se sot “të mbash dorën e dikujt është më intime sesa të bësh seks”. Në një epokë ku seksi rastësor ndahet nga lidhjet e qëndrueshme, gjeste që dikur dukeshin të thjeshta si të kapurit dorë për dore apo puthja në ballë renditen shumë më lart në shkallën e intimitetit.

Sociologia Jenny van Hooff nga Manchester Metropolitan University shpjegon se:
“Shprehja e interesit të sinqertë është bërë e rrezikshme, madje e sikletshme. Ndërsa të dukesh i ftohtë është një mënyrë për të mbajtur kontrollin. Emocionet janë kthyer në mjet fuqie: kush shfaq më pak ndjenjë ka më shumë pushtet.”

Dhe ja ku kthehemi te puthja në ballë: një gjest thellësisht romantik, që lidhet me kujdesin, butësinë, besimin dhe një lidhje të konsoliduar. Pikërisht për këtë arsye shmanget kur raporti është i paqartë. Edhe kur mund të vijë natyrshëm, Gen Z në TikTok këshillon të mos e përdorësh për të mos krijuar pritshmëri apo iluzione të rreme.

Sepse, nëse lidhja mund të mbarojë pas disa ditësh qoftë me një bisedë ballë për ballë apo me zhdukje totale atëherë puthja në ballë perceptohet si një premtim i rremë. Dhe kjo është arsyeja pse shumëkush ka filluar ta shohë atë si paralajmërimin më të frikshëm të ndarjes.

A ka vdekur romantizmi?
Jo. Përkundrazi, sot është më i thellë, më intim, më i veçantë. Thjesht është ndarë nga seksi dhe shprehet në mënyra krejt të tjera. Por frika ngelet. Ashtu si frika nga “puthja në ballë e dëshpërimit”. Ashtu si frika e mbylljes së një raporti brenda natës.

Por nëse nuk rrezikojmë asnjëherë, atëherë si do ta dallojmë puthjen në ballë të atij që është aty për të qëndruar?

Vanity Fair