
Toskana është një ndër rajonet më ikonike të Italisë, e njohur për vreshtat pa fund, verën cilësore dhe hotelet më të mira, ku relaksi dhe qetësia e brendshme janë prioritet.
Thuajse si një arratisje nga epidemia e kullave, makinave dhe zhurmës, Toskana ofron standartin më të lartë të të pushuarit hijshëm, mes gjelbërimit, tavolinave të shtruara bukur për “wine-tasting” në çift apo mes miqsh, si edhe pishinat italiane stil “infinity” me pamje nga kodrat valëzuese të Chiant-it, ullishtet e vjetra apo fushat me lule dielli.
Për adhuruesit e artit dhe historisë, Firenze është kryeqyteti i Rilindjes, me Duomon, galerinë Uffizi apo Ponte Vecchio. Siena, qyteti gotik me Piazza del Campo apo Pisa me kullën e saj të famshme, vlejnë gjithashtu të vizitohen. Ndërsa për ato që duan të shkëputen tërësisht nga fryma e qyteteve të mëdha, Toskana është e mbushur me “borghi”, fshatra të vegjël mesjetar me frymë autentike si San Gimignano, Monteriggioni, Pienza, Volterra apo Montepulciano.
Verat që duhet të provoni patjetër si pasuri e Toskanës, janë Chianti Classico, Brunello di Montalcino, Vino Nobile di Montepulciano. Ndërsa sa për eksperiencat unike që mund të jetoni në rajonin madhështor italian, ato përfshijnë degustime vere në kantina ikonike, kurse gatimi private në ferma të vjetra dhe turet me Vespa apo makinën e famshme Fiat 500 në rrugët panoramike.
Mos e humbni udhëtimin në një ndër destinacionet më të famshëm të filmave, si edhe fotot që mund të shkrepni në Val d’Orcia, San Quirico d’Orcia, Cappella della Madonna di Vitaleta apo Terrazza della Rose në Giardino Bardini.
