
Wizz Air, linja Hungareze e fluturimeve, pritet të shtoj nëntë destinacione të reja me nisje nga Tirana, brenda vitit 2026. Konkretisht, Larnaca qyteti bregdetar në jug të Qipros, nis fluturimet këtë fundjavë ndërkohë që Billund në Danimarkë, Vilnius në Lituani dhe Cologne në Gjermani janë planifikuar në pranverën e vitit të ardhshëm. Bratislava në Sllovaki, Stockholm në Suedi dhe Malta çelin rrugët e tyre në verën e 2026-ës dhe Malaga, së bashku me Ishujt Kanarie (Tenerife) në Spanjë, shtohen si destinacionet e fundit në vjeshtë të 2026-ës.
Fluturimet për destinacione të caktuara do të nisin me një çmim nga 2,490 lekë të reja për një rrugë, si edhe do të jenë të përjavshme, disa dy, tre apo më shpesh në një javë.
“Të udhëtosh është të jetosh”, ka thënë një herë shkrimtari danez i përrallave më të famshme si “Sirena e vogël” apo “Rosaku i shëmtuar”, Hans Christian Andersen. Saint Augustine, një ndër figurat më të rëndësishme të mendimit perëndimor, gjithashtu ruante filozofinë se “Bota është një libër, e ato të cilët nuk udhëtojnë, është si të kenë lexuar vetëm një faqe.”
Udhëtimet janë jo vetëm kënaqësi për shpirtin, por mbi të gjitha janë pasuri për mendjen, çelin horizonte të reja dhe të ekspozojnë para kulturave të ndryshme nga ajo mëmë. Nëse udhëtimet do ti krahasonim me lojërat virtuale, botë të reja bëhen “unlock” apo zbërthehen para syve tanë, si të ishin nivele që na çojnë përpara një qëllimi. Ndonëse qëllimi në këtë rast nuk është të fitosh, por ti marrësh botës më të mirën e ta zbulosh skaj më skaj. Aq më tepër kur linjat low-cost i sjellin shtetet e qytetet kaq afër e kaq arsyeshëm!
