
Para se të bëhej një nga figurat më të komentuara të Big Brother VIP Kosova 4, Elijona Binakaj ka rrëfyer një pjesë shumë të ndjeshme të jetës së saj personale. Në një intervistë për RTV Dukagjinin, ajo ka folur hapur për vitet e fëmijërisë që i ka kaluar larg familjes biologjike, në një familje gjermane, pa dëshirën e saj.
Sipas saj, gjithçka ka ndryshuar në moshën 7-vjeçare, pas ndarjes së prindërve.
“Prej moshës 7 vjeçare deri në moshën 13 vjeçare unë jam rritur në një familje gjermane. Në moshën 7 vjeçare mua më janë ndarë prindërit. Në shkollë fillore e kisha një shenjë, aty shteti gjerman ka reaguar. Fëmijërinë unë e mbaj mend deri në moshën 7 vjeçare shumë të bukur, atëherë është kthyer gjithçka, jam ballafaquar me gjëra të ndryshme,” ka treguar ajo.
Pas ndarjes së prindërve, Elijona tregon se jetonte me nënën, motrat dhe vëllanë e vogël, pranë familjes së dajës. Sipas saj, një mësuese në shkollë ka qenë personi që ka sinjalizuar autoritetet gjermane, çka më pas ka sjellë largimin e saj nga familja.
“Në shkollë një mësuese, pasi u ndanë prindërit, më shikonte më shumë dhe më ka larguar prej familjes. Kam jetuar në një familje gjermane, pa dëshirën time. Kanë raportuar për dhunë në familje,” rrëfen ajo.
Kjo periudhë, që ka zgjatur rreth gjashtë vite, përshkruhet nga Elijona si një nga momentet më të vështira të jetës së saj.
“Ka qenë një moment i tmerrshëm, më ka ardhur shumë papritur. Nuk kam ditur as të mbroj veten. Për nënën ka qenë e tmerrshme, sepse ka pritur t’i kthehej vajza në shtëpi. Kemi luftuar shumë për me ardh deri në këtë pikë që të rikthehem te familja,” thotë ajo.
Binakaj tregon gjithashtu se gjatë kësaj kohe ka pasur kufizime të forta në komunikim:
“Dy vitet e para s’kam pasur telefon, por edhe më kanë ndaluar kontaktin. Ka qenë tmerr. Gjithë atë dhimbje, nuk i gjej as fjalët.”
