Jennifer Lopez ka fituar plot 2 milionë dollarë për performancën e saj në dasmën e një miliarderi në Indi gjatë fundjavës, një event i mbushur me yje të skenës botërore.

Këngëtarja 56-vjeçare ndezi atmosferën me disa kostume vezulluese dhe provokuese, ndërsa këndoi hitet e saj më të njohura, si “Waiting for Tonight” dhe “Get Right”.

Gjatë ceremonisë, Lopez u shfaq fillimisht me një sari rozë të çelët me shkëlqim, ndërsa për performancën e saj muzikore u rikthye në skenë me një bodysuit të zi me prerje të theksuara. Më pas, ajo ndryshoi sërish, kësaj radhe në një kostum ari me shkëlqim dhe xhaketë të kombinuar, ndërsa veshja finale ishte një bodysuit i zbukuruar me kristale dhe çizme të larta po ashtu të kristalizuara.

Në një video të publikuar në X, Lopez shihet duke mbyllur performancën e saj me një dolli drejtuar çiftit, Netra Mantena dhe Vamsi Gadiraju.

Netra është vajza e Rama Raju Mantena-s, një figure të rëndësishme në industrinë farmaceutike dhe kryetar/CEO i Ingenus Pharmaceuticals. Bashkëshorti i saj, Vamsi Gadiraju, është një sipërmarrës tepër i pasur në fushën e teknologjisë, bashkëthemelues dhe CTO i platformës së shpërndarjes së ushqimit “Superorder”, i përfshirë vitin e kaluar në listën Forbes 30 Under 30.

Dasma e tyre katër-ditore në Udaipur filloi më 20 nëntor, me performancën e parë të mbajtur nga DJ Tiësto. Më pas vijuan festat tradicionale indiane sangeet dhe mehendi, përpara se Lopez të performonte natën finale pas ceremonisë zyrtare të martesës, më 23 nëntor.

Eventi mblodhi një listë të gjatë personazhesh të njohur, përfshirë shumë yje të Bollywood-it si Dia Mirza, Amyra Dastur dhe Sophie Choudry. Në festë ishin të pranishëm edhe Donald Trump Jr. dhe partnerja e tij Bettina Anderson, të cilët u panë duke kërcyer në skenë me veshje tradicionale indiane. Trump Jr. u shfaq me një sherwani blu të errët, ndërsa Anderson me një choli dhe lehenga me shkëlqim ngjyrë nude.