Dhjetë ditë para vdekjes, Lady Diana i kishte rrëfyer mikeshës së saj të ngushtë, Rosa Monckton, se ishte penduar për intervistën e shumëpërfolur të vitit 1995 dhënë për BBC-në, një intervistë që tronditi themelet e monarkisë britanike dhe u ndoq nga miliona shikues në mbarë botën.

Në atë intervistë, Diana foli hapur për dhimbjet dhe plagët e saj më të thella: “martesën shumë të mbipopulluar” me Princin Charles (për shkak të Camillës), marrëdhëniet jashtëmartesore, buliminë, depresionin pas lindjes dhe betejat e saj emocionale. Vetëm një vit më vonë, në gusht të vitit 1997, Diana humbi jetën në aksidentin tragjik në Paris.

Sot, Rosa Monckton rrëfen për People se Diana ishte shprehur e penduar jo për çfarë kishte thënë, por për ndikimin që mund t’i kishte pasur te djemtë e saj, William dhe Harry, në atë kohë vetëm 15 dhe 12 vjeç.

“Diana më tha se ndihej fajtore. Kishte frikë se rrëfimet e saj publike i kishin lënduar dy njerëzit që donte më shumë në botë: djemtë e saj,” tregon Monckton. Ato ndodheshin së bashku në Greqi për pushimet që, pa e ditur, do të ishin të fundit për Princeshën e Uellsit.

Sipas Monckton, Diana nuk ishte penduar që kishte ndarë me botën vuajtjet e saj ishte penduar vetëm sepse i trembej pasojave për William dhe Harry, të cilët asokohe ishin ende fëmijë.

Në vitin 2021, BBC pranoi zyrtarisht se Martin Bashir kishte përdorur “metoda të pandershme” për ta bindur Dianën të jepte intervistën. Ai i kishte paraqitur dokumente të falsifikuara ku sugjerohej se pallati e përgjonte dhe se Charles kishte një marrëdhënie me dado­n e djemve.

“Diana ishte e brishtë dhe kjo e bënte të prekshme ndaj manipulimit të Bashir,” shpjegon Monckton, duke shtuar se askush nuk kishte mundur ta ndalonte, sepse ajo e kishte mbajtur të fshehtë planin e intervistës.

Djemtë e Dianës e kanë dënuar hapur intervistën prej vitesh.

William ka kërkuar që intervista të mos transmetohet më, një kërkesë që Netflix e injoroi duke i kushtuar një episod të tërë në sezonin e pestë të The Crown.
Harry ka qenë edhe më i ashpër në deklaratat e tij, duke akuzuar BBC-në për “kulturë shfrytëzimi dhe praktika joetike,” madje duke thënë:
“Nëna jonë vdiq për shkak të kësaj. Dhe asgjë nuk ka ndryshuar.”