
Francesco Totti dhe partnerja e tij, Noemi Bocchi, janë përballur me një hetim të Prokurorisë së Romës, pasi dyshohej se kishin lënë vetëm në shtëpi tre fëmijë të mitur vajzën 7-vjeçare të ish-kapitenit të Romës dhe dy djemtë e Noemit, 9 dhe 11 vjeç nga ora 21:00 deri në mesnatë për të darkuar jashtë.
Sipas prokurorisë, hetimi nisi pas sinjalizimeve se fëmijët ishin lënë pa mbikëqyrje të rriturish mbrëmjen e 26 majit 2023. Megjithatë, pas verifikimeve të plota, çështja u arkivua, pasi u konstatua se fëmijët nuk kishin qenë në rrezik real gjatë asaj periudhe.
Autoritetet theksuan në vendim se vajza e Tottit kishte në dispozicion një telefon celular për të kontaktuar menjëherë të atin në çdo rast, dhe se ajo nuk ishte vetëm, pasi me të ndodheshin edhe dy djemtë e Noemit. Këto rrethana, sipas Prokurorisë, shmangnin rrezikun e braktisjes së të miturve.
Pjesë e hetimit ishte edhe dadoja e çiftit, e cila u akuzua fillimisht për braktisje të fëmijëve, pasi nuk ndodhej në shtëpi gjatë atyre orëve. Por edhe ndaj saj Prokuroria kërkoi arkivim, duke argumentuar se nuk kishte prova për përgjegjësi penale.
Megjithatë, çështja nuk është mbyllur përfundimisht. Ilary Blasi, ish-bashkëshortja e Tottit, ka bërë kundërshtim zyrtar ndaj vendimit të arkivimit. Sipas saj, vajza e saj i ishte besuar Tottit atë mbrëmje, duke qenë se vuante nga probleme të frymëmarrjes, dhe ai nuk kishte treguar kujdes të mjaftueshëm duke preferuar të dilte për darkë.
Sipas rekonstruksionit të bërë nga avokatët e Blasit, gjatë asaj mbrëmjeje nëna e Ilary-t telefonoi vajzën dhe mësoi që nuk kishte asnjë të rritur në shtëpi. As dadoja nuk ishte e pranishme. Kjo bëri që të njoftohej policia, e cila u dërgua të kontrollonte situatën.
Para se policia të mbërrinte, Totti ishte informuar për kontrollin, përmes Vito Scala-s, ish-asistent i tij te Roma, i cili kishte marrë sinjalizimin nga një drejtues i klubit, i kontaktuar nga policia.
Kur policia mbërriti, dadoja ndodhej në banesë por hetimet më vonë zbuluan se ajo kishte hyrë vetëm pak minuta para kontrollit, pasi ishte kontaktuar nga çifti. Versioni i saj u rrëzua më pas nga një video e regjistruar nga vetë fëmijët, ku shihej qartë se gjatë tri orëve nuk kishte asnjë të rritur me ta.
Sipas Ilary Blasit, ky rekonstruksion provon se Totti jo vetëm që ka lënë fëmijën pa kujdesin e nevojshëm, por se ka nxitur edhe dados që të deklaronte të pavërtetën për t’u mbrojtur nga hetimi.
Në ditët në vijim, një gjykatës i hetimeve paraprake do të vendosë nëse çështja do të arkivohet definitivisht apo do të vazhdojë më tej.
