Gazetari dhe opinionisti Bledi Mane ka komentuar ashpër së fundmi qasjen e moderatores Arbana Osmani ndaj Top Channel, gjatë një interviste në “Top Albania Radio” me Ronaldo Sharken.

Gjatë bisedës, Mane u shpreh se, sipas tij, disa ish-figura të ekranit që janë bërë të njohur falë Top Channel, po e kritikojnë tashmë publikisht televizionin ku u formuan profesionalisht. Ai veçoi konkretisht Arbanën, duke thënë se pikërisht asaj “nuk i takon” ta sulmojë këtë media.

“E ke vënë re këto kohë të fundit, ku personazhe dhe emra të njohur të familjes së madhe të Top Channel-it, vajza apo djem që u lindën, u rritën, u pasuruan dhe u martuan aty, kanë filluar t’i shajnë në podcast vendin që i ushqeu, i edukoi, i iluminoi dhe i bëri të famshëm,” –u shpreh Bledi Mane.

I pyetur nga Ronaldo Sharka për kë e kishte konkretisht, ai përmendi emrin e Arbanës Osmanit:

“Për shembull, jam disi i zhgënjyer nga Arbana Osmani, e cila podcast-in e saj e ka vënë në shërbim të makinerisë së sharjes së kompanisë mediatike ‘Top Channel’. Të paktën Arbanës nuk i takon.”

Sipas Bledi Manes, Arbana është një nga figurat që ka ndërtuar karrierën e saj brenda Top Channel, ndaj ai e konsideron të padrejtë që ajo ta përdorë tani platformën e saj për të kritikuar publikisht ish-vendin e punës.