Fiku ka dalë nga pjata dhe është futur zyrtarisht në raftet e parfumerive. Në sezonin e ri të vjeshtës, termi “Fig girl fall” po përdoret për të përshkruar një valë të produkteve kozmetike dhe parfumeve me nota fiku, të ëmbla, jeshile, sensuale, mesdhetare.

Brendet e mëdha të luksit kanë nisur të ndërtojnë të gjithë identitetin e koleksioneve rreth këtij fruti: parfume me baza fiku, kremra trupi me aromë gjetheje fiku, balme buzësh që kujtojnë ëmbëlsirën e shtëpisë, por me një paketim ultra-modern.

Brende si Jo Malone, Diptyque, Guerlain apo Victoria Beckham Beauty kanë nxjerrë linja të tëra me nota fiku të ngrohta, pak jeshile, mesdhetare që synojnë ta kthejnë rutinën e bukurisë në një ritual sensorial, jo thjesht në një hap të shpejtë para pasqyrës.

Nuk është thjesht një modë aromash: është rikthim i Mesdheut në qendër të tregut global të bukurisë.

Për ne, në Shqipëri, kjo do të thotë që “aromat e gjyshes” po bëhen trend i vajzave të Instagramit. Parfumeritë dhe dyqanet e kozmetikës kanë në dorë një narrativë të re: të tregojnë historinë e fikut si simbol sensualiteti, ngrohtësie dhe kujtese familjare, duke e kthyer në firmën e re të vjeshtës.