
Një nga miqtë më të afërt të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, Meti Myrtezani, ka rrëfyer me shumë dhimbje momentet e fundit që ka kaluar me artistin para se ai të udhëtonte drejt Italisë, ku humbi jetën papritur në moshën 40-vjeçare.
Në një lidhje live në emisionin “Breaking” në Top News, Meti ka treguar se pikërisht ai e ka shoqëruar Shpatin për në aeroport dhe se gjatë gjithë ditës së djeshme kanë qenë në kontakt, derisa, rreth orës 22:00, telefonata e fundit që Meti i ka bërë nuk është hapur më.
“Kur e kam marrë nga shtëpia për në aeroport kemi biseduar për punë familjare, shkonte në Itali për djalin, vetë nuk ka pasur probleme shëndetësore. Biseda e fundit ka qenë dje në orën 20:00.
Më tha, vëllai jem jam me grip, jam ftohur. Sa mbarova punë me djalin. Të premten më tha të shkoja në aeroport. E kam marrë nga ora 22:00 se ma ndjeu zemra por nuk ma hapi. Më mori kunati vet nga ora 1 dhe më tregoi. Tani jam rrugës për në Itali se nuk mund ta besoj akoma. Edhe kur ka firmosur për në ‘Big Brother’ kemi qenë bashkë në Top Channel”, tha Meti.
Miku i tij i ngushtë tregon se Shpati kishte udhëtuar drejt Italisë për një kontroll mjekësor të djalit të tij, ndërsa vetë nuk kishte shfaqur probleme serioze shëndetësore. Pikërisht kjo e bën lajmin edhe më të rëndë dhe të pabesueshëm për familjen dhe miqtë.
Përveç dhimbjes personale, Metit i është dashur të mbajë edhe një barrë tjetër të rëndë: t’ia tregojë lajmin familjes. Ai rrëfen se kjo ka qenë ndër përvojat më të vështira të jetës së tij.
“Kam qenë në mëngjes për t’i treguar mamit të vet. Nuk dija si t’ia thoja, se përballoja dot. I kam tregu motrës së vet por nuk ndenja dot më pastaj”, u shpreh ai.
