
Ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi në moshën 40-vjeçare ka tronditur publikun dhe botën e artit, por bashkë me dhimbjen ka sjellë në vëmendje edhe një detaj rrëqethës nga jeta e tij personale: i njëjti fat tragjik kishte prekur edhe babain e tij, në të njëjtën moshë.
Shpati, i cili humbi jetën pas një ataku kardiak në Itali, kishte përjetuar një humbje të ngjashme në fëmijëri. Kur ishte vetëm 13 vjeç, ai kishte humbur babain, gjithashtu 40-vjeçar, dhe ishte rritur vetëm në krahët e nënës. Sot, historia përsëritet në mënyrën më të dhimbshme: djali i tij i vogël, Roeli, mbetet të rritet pa të atin, ashtu si dikur vetë Shpati.
Vetëm pak javë më parë, në intervistën e tij të fundit për emisionin “1 Kafe me Labin” në RTV21, Shpat Kasapi është ndalur me shumë mall te kujtimet e jetës, veçanërisht te figura e të atit.
I pyetur:
“Një kafe me kënd do doje ta pije, qoftë edhe me dikë që nuk jeton?”
ai u përgjigj me emocion:
“Me babin do të kisha dashur një përqafim të fortë, pastaj një kafe… Kam qenë shumë i vogël. Ai ishte i veçantë.”
Në të njëjtën intervistë, Shpati foli me zemër plot mirënjohje për njerëzit më të rëndësishëm të jetës së tij. Mes fjalëve prekëse, ai iu drejtua partneres së tij, Selvije Jao, e cila i ka dhuruar djalin e tij, Roelin:
“Selvijes që më ke bërë Roelin dhe që je shumë e mirë… mamit, motrës, vëllait dhe shumë njerëzve që më kanë bërë të ndihem mirë… ju falënderoj, por kurrë nuk mund t’ua kthej.”
Si çdo prind, Shpati kishte ëndrrat e tij për të ardhmen e djalit. Pa kërkuar patjetër që ai të ndiqte hapat e tij në muzikë, ai shprehu dëshmi të një babai të përulur dhe të sinqertë:
“Roelin mund të mos bëhet këngëtar, por të bëhet sportist.”
