Atentati ndaj drejtuesit të emisionit investigativ italian “Report”, Sigfrido Ranucci, ka ngjallur vëmendje të madhe në mediat kryesore italiane. Autoritetet po shqyrtojnë me kujdes çdo pistë, duke përfshirë edhe mundësinë e përfshirjes së individëve ose rrjeteve kriminale shqiptare.

Hetimi po analizon jo vetëm fazën e përgatitjes së sulmit, por edhe lëvizjet paraprake, metodat e largimit dhe çdo element që mund të tregojë autorin fizik ose një organizim më të gjerë. Burime të Drejtorisë Antimafia në Romë konfirmojnë se një segment i hetimit lidhet me emrin e Artur Shehut, sipërmarrës shqiptar që jeton prej vitesh në SHBA dhe i përmendur në disa dosje ndërkombëtare për lidhje të mundshme me rrjete kriminale në Shqipëri dhe Itali.

Shehu u përmend në emisionin “Report” më 21 prill në episodin “(Hot) Spot Albanese”, ku trajtoheshin projektet e hotspoteve të migrantëve sipas marrëveshjes Itali–Shqipëri. Në atë emision, ai paraqitej si figurë e rëndësishme në bizneset ndërkufitare dhe me kontakte të ndjeshme në sektorë ku përplasen interesa ekonomike, politike dhe kriminale. Gjithashtu u publikuan dokumente mbi një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë tokë pranë Vlorës, dhuruar një fondacioni italian dhe ish-gjeneralit të Guardia di Finanzës, përmes ndërmjetësimit të personave të lidhur me qarqe qeveritare shqiptare.

Hetuesit po shqyrtojnë nëse ekspozimi publik i këtyre raporteve mund të ketë shkaktuar reagime të dhunshme nga individë të prekur, përfshirë rrjete jashtë Italisë. Disa raste të mëparshme tregojnë se grupet kriminale ndërkombëtare reagojnë ashpër ndaj ekspozimit mediatik, duke përfshirë hakmarrje ose sinjale paralajmëruese.

Nga ana teknike, po kontrollohen kamerat e zonës, kontaktet telefonike, trafiku i komunikimeve, udhëtimet drejt dhe nga Shqipëria para atentatit, si dhe profili i personit që vendosi lëndën plasëse. Hetuesit po rikonsiderojnë gjithashtu një incident të verës së kaluar, kur ishte tentuar hyrja në një nga pronat e Ranuccit.

Ranucci ka përfituar mbështetje të gjerë nga institucionet italiane, drejtoria e RAI-t, sindikatat e gazetarëve dhe shoqëria civile. Burimet nga karabinierët e përshkruajnë nivelin e vëmendjes hetimore si “jashtëzakonisht të lartë”, duke reflektuar rrezikun real për jetën e gazetarit.

Hetimet pritet të sqarojnë në ditët në vijim nëse pista shqiptare është vetëm një hipotezë e lidhur me temat e trajtuara nga “Report” ose nëse ekzistojnë prova konkrete për përfshirjen e saj në autorësinë e atentatit./ Dosja.al