Ka pasur një periudhë, mes viteve ’90 dhe fillimit të 2000-s, kur në Hollywood nuk kishte aktor më të adhurar se Johnny Depp. I ri, karizmatik, me një talent të padiskutueshëm, ai zgjidhte gjithmonë rolet më jokonvencionale duke nisur nga ai i paharrueshëm në “Edward Scissorhands”, filmi i Tim Burton i vitit 1990.

Edhe pse kishte disa role pas vetes, Depp ndjehej i lodhur nga imazhi i “djaloshit të bukur për ekranin e vogël”. Takimi me Nicolas Cage i pari që pa tek ai një talent të veçantë dhe më pas me regjisorin ekscentrik Tim Burton, ia ndryshuan rrjedhën e karrierës. Burton e zgjodhi për të luajtur një lloj “Pinoku post-modern”, një djalë të rritur në vetmi pas vdekjes së krijuesit të tij, që papritur përplaset me botën “normale”.

Në xhirimet e këtij filmi, që u prit mjaft mirë nga kritika, nuk lindi vetëm bashkëpunimi i gjatë artistik mes Depp dhe Burton aq i fortë sa shpesh aktori është quajtur alter ego e regjisorin por u forcua edhe një histori dashurie që do të mbetej ikonike: ajo me Winona Ryder.

Johnny dhe Winona qenë në një lidhje nga viti 1989 deri në 1993, një romancë që për shumë fansa mbetet ende sot “epoka e artë” e aktorit. Dhe pikërisht për këtë periudhë, Depp nuk ka asnjë dyshim kur flet: ish-e dashura e tij është “gruaja me të cilën kam vetëm kujtime të lumtura, kujtime të pabesueshme nga një kohë e pastër lumturie”.

Pavarësisht viteve, uljeve dhe ngritjeve personale e profesionale, për Johnny Depp ajo marrëdhënie mbetet një prej kapitujve më të pastër dhe më të dashur të jetës së tij një kujtim i një kohe kur gjithçka dukej e mundur, në ekran dhe jashtë tij.