
“Shpresoj vetëm që ditën kur të mbush 90 vjeç ta kaloj qetësisht, pa të papritura, dhe të vazhdoj kështu, me shëndet të mirë.”
Kështu është shprehur Woody Allen në prag të këtij 30 nëntori 202 një ditëlindje simbolike: 90 vjeç dhe mbi 60 vite që kanë formësuar kulturën, kinemanë dhe mënyrën si tallemim me ankthin, dashurinë dhe vetë jetën.
Regjisori më “newyorkez” i të gjithëv sepse Sheshi “New York” pa filmat e tij nuk do ishte i njëjti qytet vjen në këtë përvjetor pak javë pas botimit të romanit të tij të parë, “Çfarë po ndodh me Baum?”.
Ai vetë e ka komentuar kështu:
“Njerëzit priren të më ngatërrojnë me personazhet që shkruaj. Ka ngjashmëri sipërfaqësore, por asgjë që i ndodh Baumit nuk më ka ndodhur mua. Nuk kam vëlla, nuk jetoj në fshat.”
E megjithatë, Asher Baum 51 vjeç, me “flokë të dendur, por krejt të çrregullt”, i mbërthyer nga ankthi dhe refluksi është shumë i afërt me universin tipik të Allen: intelektual neurotik, me punë të paqëndrueshme në Manhattan, i rrethuar nga libra, obsesione dhe frikëra komike.
Nga humori i lehtë te dramat psikologjike
Woody Allen ka lëvizur me finesë nga komeditë absurde te dramat psikologjike, pa hequr dorë kurrë nga stili i tij: dialogë të shpejtë, ironi therëse, personazhe të papërsosur, por thellësisht njerëzorë.
Disa nga batutat e tij janë kthyer në klasikë:
“Besoj se ti je e kundërta e një paranojaku: ti jeton me iluzionin e çmendur që njerëzit të pëlqejnë!” (1997)
“Sapo kam takuar një burrë të mrekullueshëm… Është imagjinar, por s’mund t’i kemi të gjitha!” (1985)
“Kam mësuar që në seks disa gjëra janë të bukura sepse mbeten të panjohura. Dhe, me fatin që kam unë, me siguri do mbeten gjithmonë të tilla.” (1972)
Por ndoshta fjalia më e ëmbël dhe më njerëzore të cilën e ka thënë së fundmi lidhet me Diane Keaton. Pas vdekjes së saj, ai rrëfeu:
“Kam bërë filmat për një person të vetëm: Diane Keaton. Nuk kam lexuar kurrë asnjë recension. Më interesonte vetëm çfarë mendonte ajo.”
Në autobiografinë e tij, ai e quan veten paranojak, nevrotik, mizantrop. Nuk pretendon trauma të mëdha, por nga mosbesimi i tij kronik ndaj njerëzimit ka lindur një nga komeditë më të veçanta të shekullit të fundit. “Disa e shohin gotën gjysmë bosh, disa gjysmë plot. Unë gjithmonë kam parë arkivolin gjysmë plot,” shkruan ai.
Asnjë portret i Woody Allen nuk është i plotë pa përmendur kapitullin e errët dhe të debatuar të jetës së tij private.
Në fillim të viteve ’90, pas një marrëdhënieje të gjatë me Mia Farrow, shpërtheu skandali: u zbulua lidhja e tij me vajzën e birësuar të Mias, Soon-Yi Previn, me të cilën sot është i martuar prej vitesh. Në atë klimë të tensionuar, vajza e birësuar Dylan e akuzoi për abuzim seksual në moshën 7-vjeçare. Hetimet, ekzaminimet mjekësore dhe proceset gjyqësore nuk çuan kurrë në një dënim penal, por debati etik dhe publik rreth tij vijon edhe sot.
Allen i mohon kategorikisht akuzat dhe në libër i rrëfen me ton pothuaj juridik, ndërsa për Mia Farrow hedh një thumb të hidhur, duke e parë gjithë çështjen si një “fushatë hakmarrjeje”.
Kjo e ka kthyer Woody Allen në një figurë thellësisht polarizuese: për disa, një gjeni i padiskutueshëm; për të tjerë, një emër që nuk mund të ndahet nga dyshimet dhe polemikat.

Djaloshi nervoz nga Brooklyni që u bë Woody Allen
Para se të ishte “Woody Allen”, ai ishte Allan Stewart Konigsberg: një djalë i dobët, me syze të mëdha, i rritur në Brooklyni e viteve ’40–’50, që parapëlqente të mbyllej në shtëpi, të shihte filma të vjetër e të bënte magji, në vend që të luante në rrugë.
Në moshën 17-vjeçare nisi t’u shiste batuta komikëve të New York-ut për pak dollarë. E kuptoi shpejt që të bëje njerëzit të qeshnin ishte një mënyrë për t’i mbijetuar ankthit. Emrin Woody Allen e zgjodhi thjesht sepse tingëllonte shkurt, ritmik dhe pak komik. Pa e ditur se po krijonte një personazh që do ta ndiqte gjithë jetën: intelektuali i pasigurt, i fiksuar pas analizës, i dashuruar dhe i terrorizuar prej dashurisë.
Me Annie Hall (1977) ai ndryshoi mënyrën si rrëfehet një histori dashurie në kinema: jo më përralla perfekte, por dialogë të mprehtë, neuroza, heshtje domethënëse, qyteti si personazh. New York-u, në filmat e tij, është një lloj partneri emocional.
Ndërkohë, jeta e tij reale mbeti e çuditërisht e njëjtë: shkruan ende me makinë shkrimi, luan klarinetë jazz, urren teknologjinë, nuk lexon recensione dhe shpesh nuk paraqitet në ceremonitë ku e shpërblejnë.
90 vjeç, ende i shqetësuar dhe ende kureshtar
Në një intervistë të fundit, i pyetur për shoqërinë amerikane dhe rrezikun e rrymave autoritare, ai është shprehur me një optimizëm të pazakontë për standardet e tij:
“Shpirti amerikan është në thelb demokratik dhe nuk do t’u dorëzohet tendencave autoritare. Mendoj se gjithçka do të shkojë mirë.”
Ai thotë se ka “dy ide shumë të forta” për filma të rinj që do të donte t’i xhironte në SHBA, por sfida mbeten financimet: edhe një film “i vogël”, sipas tij, kërkon të paktën 15 milionë dollarë. Edhe sot, do të zgjidhte të tregonte histori intime, familjare, jo manifest politik.
Woody Allen nuk kërkon qetësinë, kërkon kuptim. Dhe, në një farë mënyre, dikush që t’i thotë se është normale të kesh frikë.
90 vjeç, me klarinetën ende në dorë, me romanin e parë të sapobotuar dhe me ide të reja për filma, ai mbetet i njëjti: një djalosh nervoz nga Brooklyni që ka ditur të kthejë neurozat në art dhe ankthin ekzistencial në humor të zi dhe në këtë kontrast, shumë prej nesh e kanë parë veten.
