
Numërimi mbrapsht për Krishtlindje ka nisur. Dritat festive po ndizen një nga një, vitrinat po mbushen me toptha shumëngjyrësh, skena të vogla krishtlindjesh, degë vishnje e aromë ëmbëlsirash nëpër rrugë. Krishtlindja është periudha kur udhëtimi bëhet edhe më magjik – sidomos nëse shmang qytetet e zakonshme si Londra, Parisi apo Nju Jorku, dhe zgjedh vende më të qeta, më autentike, me çmime më njerëzore dhe një lidhje më të fortë me traditën lokale.
Ja disa nga qytetet më të nënvlerësuara në Europë që duhen marrë seriozisht në konsideratë për pushimet e fundvitit.
Tallinn, përrallë nordike nën dëborë (Estoni)
Qyteti i vjetër i Tallinn-it, me muret mesjetare, kalldrëmet dhe kambanat e kishave, është fiks skenografia e një kartoline nordike. Dimri i ftohtë e bën edhe më magjike atmosferën: çatitë mbulohen me dëborë, tregjet e Krishtlindjes gjallërohen dhe çdo shesh duket si skenë filmi. Ideale për këdo që nuk trembet nga temperaturat e ulëta dhe kërkon një Krishtlindje “të vërtetë”, me frymën e veriut.
Danzig / Gda?sk, port me histori dhe plagë të shëruara (Poloni)
E vendosur buzë lumit Martwa Wis?a, Danzig është një qytet portual me të shkuar të trazuar, por me një pasuri të jashtëzakonshme historike e kulturore. Sheshi kryesor, me pallatet shumëngjyrëshe dhe shatërvanin e Neptunit – të mbijetuar nga shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore të kujton se sa herë Europa është rrëzuar dhe rindërtuar. Në fundvit, qyteti vishet me drita e tregje festive, por ruan ende një elegancë të qetë, larg turmave të mëdha turistike.
Selanik, aty ku antikiteti takon natën moderne (Greqi)
Qyteti i dytë më i madh i Greqisë është shembulli perfekt se si e vjetra dhe e reja mund të bashkëjetojnë. Arka e Galerios, monument i shekullit IV, qëndron mbi një nga rrugët më të zhurmshme tregtare, ndërsa Kulla e Bardhë vigjilon mbi shëtitoren buzë detit, plot bare e cocktail-bar-e. Selaniku gjatë dimrit ka ritmin e vet: lokalë plot jetë, dritat e festave dhe një miks kulturash që e bën ideal për një city break ndryshe.
Vila Real de Santo António, elegancë e qetë në Algarve (Portugali)
Vendosur mbi brigjet e lumit Guadiana, ky qytet në jug të Portugalisë është projektuar në shekullin XVIII me sheshe elegante, pallate të rregullta dhe një port peshkatarësh me shumë karakter. Në afërsi gjenden disa prej plazheve më të qeta me rërë të Algarve-s perfekte për një dimër të butë, larg turizmit masiv, aty ku Krishtlindja ka më shumë aromë deti se sa dëborë.
nnsbruck, mes tregjeve të Krishtlindjes dhe Alpeve (Austri)
I njohur për mercatot e tij të Krishtlindjes, Innsbruck është një miks i mrekullueshëm mes historisë dhe natyrës alpine. Qyteti krenon Pallatin Perandorak dhe atraksione të shumta natyrore përreth, por simboli i tij mbetet Tettuccio d’Oro: një dritare e jashtme me çati të përbërë nga 2.657 pllaka bakri të veshura me ar, e zbukuruar me relieve e afreske, ndërtuar nga perandori Maksimilian I në vitin 1500. Me borë, drita dhe malet përreth, është një nga skenat më fotogjenike të dimrit në Europë.
Kutaisi, surpriza e harruar e Kaukazit (Gjeorgji)
Pak e frekuentuar nga turistët europianë, Kutaisi mund të jetë zbulimi i madh i këtij viti. Qyteti ofron një sërë atraksionesh: katedralja e Bagrati-t, një kryevepër e arkitekturës mesjetare; Bazari i madh, ku mund të shijoni dhe blini produkte tipike lokale; dhe kopshti botanik, një oaz i gjelbër ideal për një shëtitje të qetë. Këtu Krishtlindja merr një nuancë krejt tjetër, mes traditave të Kaukazit dhe mikpritjes gjeorgjiane.
Mostar, ura që lidh brigje dhe histori (Bosnjë-Hercegovinë)
Mostari është i famshëm për Stari Most, urën e vjetër mesjetare mbi lumin Neretva, që sot është simbol i ribashkimit pas luftës. Përreth saj gjenden rrugica me kalldrëm, dyqane artizanale, pazare të vogla dhe aroma kuzhine ballkanike. Nga lart ngrihet minarja elegante e xhamisë Koski Mehmed Pasha, me pamje panoramike mbi të gjithë qytetin një destinacion ideal për ata që kërkojnë histori, kulturë dhe autenticitet në një udhëtim të vetëm.
Lubjana, kryeqyteti i vogël me shpirt festiv (Slloveni)
Lubjana është një qytet universitar, i gjallë dhe festiv, i ndërtuar përgjatë lumit Ljubljanica, që ndan pjesën e vjetër nga ajo moderne. Qyteti është i mbushur me ura më e famshmja, Ura e Dragojve, e ruajtur nga katër dragoj jeshilë me krahë. Gjatë një vizite nuk duhen humbur Tregu Qendror, Katedralja e Shën Nikollës dhe Shatërvani i Lumeneve Karniolane, i frymëzuar nga shatërvani i katër lumenjve në Piazza Navona të Romës. Në fundvit, e gjithë qyteti ndizet e kthehet në një skenë të madhe Krishtlindjeje.
Perth, “Fair City” e harruar e Skocisë
E vendosur në lindje të Skocisë, jo larg Edinburgut dhe Glasgout, Perth quhet shpesh “Fair City” (qyteti i bukur), një nofkë e marrë nga romani The Fair Maid of Perth i Sir Walter Scott. Është qyteti i parë skocez i shpallur si qendër e zanatit dhe artit popullor nga UNESCO. Për më aventurierët, rreth qendrës mesjetare gjenden pika panoramike spektakolare, nga ku mund të admirosh peizazhe të gjera tipike skoceze perfekte për një Krishtlindje midis natyrës dhe historisë.
Narbonne, kolonija më e vjetër romake në Francë (Francë)
Në zemër të Occitanie-s, Narbonne është kolonia më e vjetër romake e Galisë. Qyteti ruan thesare historike si Katedralja e Saint-Just dhe Saint-Pasteur e shekullit XIII, e mbetur pjesërisht e papërfunduar, duke i dhënë një hijeshi të veçantë. Përreth qytetit shtrihen plazhe me rërë të imët dhe natyrë e paprekur. Parku Natyror Rajonal i Narbonnaise-s, me laguna dhe vreshta, është mushkëria e gjelbër e zonës dhe një destinacion ideal për shëtitje dimërore.
Šibenik / Sebenico, porta drejt parqeve kombëtare (Kroaci)
Šibenik është një qytet i vogël mesdhetar me një qendër historike mesjetare, plot rrugica të ngushta që të çojnë tek Katedralja e Shën Jakovit, e mbrojtur nga UNESCO. Ja vlen një ngjitje deri në Fortesën e Shën Mihalit, dikur zemra mbrojtëse e qytetit, sot pikë panoramike me pamje marramendëse. I njohur edhe me emrin italian Sebenico, qyteti është një bazë perfekte për të vizituar Parkun Kombëtar Krka dhe arkipelagun e ishujve Kornati.
Málaga, qyteti i Picassos mes detit dhe kulturës (Spanjë)
Qyteti i lindjes së Pablo Picassos, Málaga, i dedikon artistit një muze brenda Palazzo Bevilacqua-s, por nuk ndalet me kaq. Këtu gjen Alcazaba-n, një pallat-fortifikim maur i shekullit XI që mbikëqyr qytetin, kalanë Gibralfaro të ngritur në kodër dhe Katedralen, të quajtur “La Manquita” (“E sakatosura”), sepse një nga dy kullat e saj nuk u përfundua kurrë. E gjitha kjo, buzë detit: në Playa de la Malagueta mund të kombinosh ditët e diellit dhe oqeanit me net kulturore mes muzeve dhe rrugëve të ndriçuara për festat.
