Në një kohë kur arti i të punuarit me dorë, si në art ashtu edhe në artizanat, janë duke humbur terren për shkak të teknologjisë dhe konsumerizimit global, disa artizanë dhe artistë angazhohen me seriozitet për të ruajtur dhe riinterpretuar këto praktika të lashta. Prej datës 19 Nëntor 2025 deri më 20 Janar 2026, në Galerinë e Artit Tiranë, publiku shqiptar dhe vizitorët e huaj do të kenë mundësinë të përjetojnë qilimat jo në funksionin e zakonshëm, por si vepra të mirëfillta arti.

Ekspozita do të paraqesë qilima historikë nga koleksioni i kompanisë azerbajxhanase Azerkhalcha OJSC, (si dikur Ndërmarrja Artistike Migjeni në Shqipëri), dhe riinterpretime bashkëkohore nga disa prej emrave më të njohur të skenës artistike të Azerbajxhanit, përfshirë Aidan Salakhova – artiste me karrierë ndërkombëtare, përfaqësuese e Azerbajxhanit dy herë në Bienalen e Venecias; Rashad Alakbarov, gjithshtu; Rufat Ismayil, stilist i afirmuar dhe themelues i markës AFFFAIR; Faig Ahmed, i cili ka fituar vëmendje globale për transformimin konceptual të motiveve tradicionale të qilimave; si edhe Samira Allahverdiyeva, që krijon qilima hiperrealistë me imazhe frutash, duke i kthyer në forma pothuajse të gjalla e të prekshme.

Në dialog me këta artistë, ekspozita përfshin edhe veprën e Xhevahir Kolgjinit, artist dhe profesor shqiptar me veprimtari ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili njihet për qasjen e tij poetike ndaj materialit dhe trashëgimisë kulturore.

Titulli "Qoftë e Shëndetshme Dora që Krijon" rrjedh nga një urim azerbajxhanas për artizanët, poetët, kuzhinierët dhe të gjithë ata që sjellin diçka në jetë. Shprehja "Të lumshin duart!" është e afërta në shqip, por tituli, edhe si metaforë, edhe si gjest kuratorial, është përdorur si një thirrje për të vlerësuar krijimin si një akt të kujdesit, vazhdimësisë dhe transformimit.

Ceremonia private e hapjes, më 18 Nëntor 2025, në orën 18:00, do të shoqërohet me një koktejl mirëseardhjeje dhe performancë muzikore live: "Artizanati i kënduar", një shfaqje që ndërthur këngën, punën artizanale dhe ritualin, duke sjellë një interpretim të ri dhe të ndjerë të këngëve popullore nga Veriu i Shqipërisë, me zërat autentikë të artizanëve nga Kukësi dhe mjeshtërinë muzikore të Hersi Matmuja & Jacopo Conoci (çelo).

Në vijim, më 19 Nëntor, nga ora 11:00 - 14:00, në ambientet e Galerisë dhe në praninë e disa prej artistëve pjesëmarrës, të ardhur posaçërisht në Tiranë për këtë ekspozitë, si Aidan Salakhova, Rufat Ismayil, dhe Xhevahir Kolgjini, do të zhvillohen evente edukative për publikun. Këto aktivitete përfshijnë një bisedë me artistët, ku publiku do të marrë informacion mbi krijimtarinë dhe ndjesitë e tyre në një medium kaq të prekshëm. Më pas, do të zhvillohet një punëtori praktike në tezgjah nga mjeshtrit artizanë Hate dhe Migela Ora. Gjatë gjithë periudhës së ekspozitës do të vazhdojnë biseda dhe punëtori me studiues, artistë dhe mjeshtra të zhanrit, të ftuar për të udhëhequr programet edukative të Galerisë.

Galeria e Artit Tiranë, e krijuar në 2021 nga Bashkia Tiranë, promovon kryesisht artin shqiptar dhe organizon ekspozita muzeale me koleksione të rëndësishme në bashkëpunim me institucione shtetërore dhe private. Ekspozita "Qoftë e Shëndetshme Dora që Krijon" është pjesë e kalendarit vjetor të Galerisë dhe pason ekspozitat e mëparshme si ato me 40 vepra nga artisti Andy Warhol, Dinastia Marubi dhe Ikonografia Shqiptare.

Ky projekt ka lindur nga një nismë e Ambasadorit Anar H. Hysenov për bashkëpunim kulturor mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Pas kësaj, e ftuar nga kryetari i bordit të Azerkhalcha për një vizitë kërkimore në Baku, projekti u zhvillua deri në këtë prezantim, sipas qasjes kuratoriale të drejtoreshës dhe njëkohësisht kuratores kryesore të Galerisë së Arteve Tiranë, Edit Pula, në bashkëpunim të ngushtë me Z. Emin Mammadov, dhe stafet e Azerkhalcha, dhe Galerisë se Arteve Tiranë, me mbështetjen gjithashtu të Ambasadës së Azerbajxhanit në Shqipëri.

Ky udhëtim mes detajesh, fijesh, metodash inovatore dhe imagjinatës revolucionare, thellë-thellë është një homazh për ata që krijojnë, për fijet që lidhin të shkuarën me të tashmen, Lindjen me Perëndimin, artin me zanatin, dhe nderon poezinë e duarve njerëzore si bartëse të kujtesës dhe imagjinatës.