
Nga Kendall Jenner tek Princesha e Uellsit të gjithë kanë veshur të njëjtën gjë këtë sezon: një pallto gri. Dikur konsiderohej thjesht “klasike e sigurt”, sot është kthyer në kapospallton më të dëshiruar të vjeshtës dhe dimrit, pjesë e pandashme e garderobës së një gruaje që do të duket elegante pa shumë mundim.
Pasarela e ka thënë fjalën e saj: Khaite, Dior dhe Calvin Klein e kanë shtyrë përpara tonin gri në koleksionet vjeshtë–dimër 2025/26, dhe street style vetëm sa e ka konfirmuar. Grija është neutrale, por jo e mërzitshme; është e butë, por me karakter; dhe mbi të gjitha, është ideale për një garderobë “capsule” që zgjat me vite. S’ka ngjyrë që nuk shkon me të: nga e bardha krem, nude-t, kafeja e çokollatës, deri te bluja e errët, e zeza apo ngjyrat e forta si e kuqja dhe jeshilja smerald.
Pse ia vlen ta kesh patjetër? Sepse një pallto e gjatë gri, me prerje të pastër sartoriale, është një nga ato veshje që të shpëton në çdo rast.
Ditën, mbi pulovër të thjeshtë dhe xhinse, të jep menjëherë elegancë “pa u munduar”.
Në zyrë, mbi një kostum, e bën look-un profesional, por jo të ashpër si e zeza.
Në mbrëmje, mbi një fustan sateni ose një jumpsuit të zi, duket minimaliste dhe super chic.
Madje, mund ta hedhësh edhe mbi një set sportiv loungewear dhe papritur dukesh si nga Pinterest.
Këtë sezon dominojnë modelet:
shumë të gjata, deri te pulpat apo kyçet;
linja të drejta, të pastra, pa shumë detaje;
frymë sartoriale, sikur të jenë bërë te rrobaqepësi i yjeve.
Çfarë modeli gri të zgjedhësh?
Me xhinse e T-shirt: sepse trendi më i madh i modës sot është të dukesh sikur nuk je përpjekur fare.
Në fund të ditës, një pallto gri e zgjedhur mirë nuk është thjesht trend i një sezoni, por një bazë e garderobës. Është ajo veshje që mund ta mbash tani, vitin tjetër, pas pesë vitesh dhe çdo herë të dukesh aktuale.
Dhe ndoshta, pikërisht për këtë, këtë vjeshtë–dimër nuk ka pyetje “çfarë palltoje të marr?”. Ka vetëm: cilin gri do vesh sot?
