Miley Cyrus mund t’ia blejë vetes lulet, por këtë herë partneri i saj Maxx Morando duket se i ka dhuruar diçka edhe më të shndritshme. Sipas raportimeve të mediave, këngëtarja është fejuar me bateristin 27 vjeçar.

Më 1 dhjetor, çifti u shfaq së bashku në premierën botërore të filmit Avatar: Fire and Ash në Los Angeles. Në tapetin e kuq, 33 vjeçarja pozoi përpara fotografëve me dorën e vendosur mbi gjoksin e Morandos, duke zbuluar qartë një unazë diamanti në gishtin e unazës së dorës së majtë.

Unaza ka një gur në prerje cushion mbi një unazë ari të verdhë 14 karatë dhe është krijim i dizajneres Jacquie Aiche.

Cyrus, e cila ka regjistruar këngën “Dream as One” për filmin e ri të James Cameron, është në një lidhje me Morandon që prej vitit 2021, kur u njohën përmes një “blind date”. “Ishte një takim në fshehtësi për mua dhe jo edhe aq për të”, ka treguar ajo për British Vogue. “Mendova: gjëja më e keqe që mund të ndodhë është që ngrihem dhe iki”.

Më herët, ajo kishte lënë të kuptohej për lidhjen edhe përmes zgjedhjeve të saj në veshje: gjatë sezonit të festivaleve, Miley veshi një dizajn të Maxx Morandos, të cilin në atë kohë e quajti “një nga artistët e mi të preferuar në zhvillim”. Jo rastësisht, çifti u bë zyrtarisht publik në tapetin e kuq në sfilatën “Love Parade” të Gucci në nëntor 2021. Më pas erdhën shfaqjet e tjera në publik, nga fotot paparazzi te darkat në Nobu, eventet e modës dhe paraqitja në Grammy 2024, ku Cyrus e falënderoi në fjalimin e saj për çmimin “record of the year”, duke e quajtur “dashuria ime”.

Maxx Morando është baterist i grupit rock Liily, të cilët performuan edhe në mbrëmjen e veçantë të Vitit të Ri të Cyrus në NBC në 2022. Ai është gjithashtu autor këngësh dhe producent dhe ka bashkëpunuar me këngëtaren në disa projekte, përfshirë albumin Endless Summer Vacation të vitit 2023 dhe albumin vizual Something Beautiful të vitit 2025.

“Kam punuar me babin tim gjithë jetën. Kështu jam njohur edhe me ish bashkëshortin. Gjithmonë kam punuar me njerëzit që i dua. Edhe Maxx më frymëzon jashtë mase”, ka thënë Miley për Harper’s Bazaar, duke folur për bashkëpunimin e tyre krijues. Ajo ka shtuar: “Ai është shumë i ngjashëm me mua. Thjesht nuk e marrim jetën shumë seriozisht”.

Aktualisht, as Cyrus dhe as Morando nuk kanë dhënë një deklaratë të drejtpërdrejtë publike për fejesën, por prania e unazës së diamantit në tapetin e kuq është marrë gjerësisht si konfirmimi më i fortë i këtij hapi të ri në marrëdhënien e tyre.