Acidi glikolik është një nga ato përbërës që, sapo e kupton si funksionon, pyet veten si ke jetuar pa të në rutinën e bukurisë. Ai ndihmon në ndriçimin e tonit dhe teksturës së lëkurës, zbut vijat e holla dhe rrudhat, ul shfaqjen e njollave dhe akneve. Por pikërisht sepse është një përbërës aktiv, nuk mund të futet në rutinë kuturu. Duhet pak “lekturë” përpara se ta aplikosh në fytyrë.

Çfarë është acidi glikolik?

Acidi glikolik është një eksfoliant kimik nga familja e acideve alfa-hidroksi, të njohura si AHA. Kjo familje përfshin edhe acidin laktik, citrik dhe mandelik. Zakonisht merret nga kallami i sheqerit dhe gjendet në shumë produkte kozmetike si larës fytyre, tonikë, serume, në doza të ulëta, ndërsa në përqendrime më të larta përdoret nga profesionistët si peeling dermatologjik.

Çfarë bën në lëkurë acidi glikolik?

Ekspertët e quajnë një nga eksfoliantët më efektivë. Acidi glikolik zbut “ngjitësin” që mban qelizat e vdekura të lëkurës të fiksuara në sipërfaqe, duke ndihmuar kështu që të shfaqen qelizat më të reja dhe më të freskëta poshtë tyre. Për shkak se ka molekulën më të vogël nga të gjithë AHA-t, ai depërton më thellë dhe më shpejt se acidet e tjera. Kjo do të thotë se mund të arrijë deri në shtresën ku prodhohet kolagjeni dhe të stimulojë sintezën e tij, duke përmirësuar elasticitetin dhe tonin e lëkurës.

Acidi glikolik është gjithashtu shumë i dobishëm për lëkurat me tendencë akneike. Shumë facialistë e preferojnë përpara acidit salicilik kur ky i fundit thaçon tepër lëkurën dhe prish barrierën mbrojtëse.

A mund të përdoret çdo ditë?

Varet nga formula dhe përqendrimi. Përdorimi i tepërt i acideve ose kombinimi i tyre mes tyre mund të çojë në irritim, skuqje, ndjeshmëri të lartë dhe dëmtim të barrierës së lëkurës. Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i shpeshtë i përqendrimeve të larta të acidit glikolik mund të çojë në “over exfoliation”, pra eksfolim të tepruar që heq vajrat natyralë dhe e lë lëkurën të pambrojtur.

Në përqendrime të ulëta mund të përdoret çdo ditë, por rekomandimi praktik është të fillohet ngadalë. Fillimisht zgjidh një produkt me përqendrim të ulët, përdore çdo dy ose tre ditë, dhe rrite gradualisht shpeshësinë vetëm nëse lëkura e toleron mirë.

Nëse vëren skuqje, thatësi të theksuar, ndjesi djegieje, lëkurë që duket “shumë e lëmuar” gati si e dyllosur, ose fillon të rrjepet, ndërprite përdorimin. Këto janë shenja që barriera mbrojtëse është dobësuar.

Për çfarë lëkurash është i përshtatshëm?

Acidi glikolik funksionon mirë për lëkurë normale, miks dhe të yndyrshme. Lëkurat shumë të ndjeshme duhet të jenë të kujdesshme, sepse rrezikojnë tharje, skuqje dhe reagime irritimi. Ashtu si me retinolin, rregulli është: fillo pak, ngadalë dhe shiko si përgjigjet lëkura.

Duhet pasur parasysh edhe stina. Si çdo eksfoliant që heq shtresat sipërfaqësore të qelizave, acidi glikolik e bën lëkurën më të ndjeshme ndaj diellit. Kremi me faktor mbrojtës të lartë është i detyrueshëm çdo ditë, jo opsion. Në përqendrime të ulëta, acidi glikolik konsiderohet i sigurt edhe gjatë shtatzënisë, gjë që është lajm i mirë për lëkurat që përjetojnë akne hormonale dhe zbehje gjatë kësaj periudhe.

Te lëkurat më të errëta, përqendrimet e larta mund të rrisin rrezikun e irritimit ose “djegies” kimike dhe ndryshimeve të tonit, sidomos në trajtime profesionale. Për përdorim në shtëpi, laktiku shpesh sugjerohet si alternativë më e butë.

Cila formë është më e mirë për t'u përdorur?

Për fillestarët, mënyra më e lehtë për ta futur acidin glikolik në rutinë është përmes një larësi fytyre. Produkti qëlahet shpejt dhe acidi neutralizohet kur del në kontakt me ujin, kështu që ekspozimi është i shkurtër dhe rreziku më i ulët. Më pas mund të kalohet te tonikët, serumet ose kremrat me përqendrim pak më të lartë.

Për përdorim në shtëpi, shumica e ekspertëve lëkurës sugjerojnë përqendrim mes 8 dhe 15 për qind, një ose dy herë në javë për produktet që nuk shpluhen. Përqendrimet më të larta dhe peeling-et e forta duhen lënë në duart e profesionistëve. Përveç përqendrimit, rëndësi ka edhe pH i produktit. Formula me pH më të lartë e “dobëson” acidin dhe ul rrezikun e irritimit. Nëse pH lëviz ndërmjet 3 dhe 4, mund të supozohet që përqendrimi i deklaruar i acidit glikolik në etiketë është efektiv.

Me çfarë nuk duhet kombinuar acidi glikolik?

Edhe pse mund të bashkëjetojë mirë me AHA dhe BHA të tjerë në formulime të balancuara, duhet treguar kujdes me përbërës të caktuar në rutinë. Kombinimi klasik problematik është: acidi glikolik plus retinoidet në të njëjtën mbrëmje. Të dy janë aktivë të fortë dhe bashkë mund të shkaktojnë irritim serioz, pavarësisht sa “e fortë” mendon se është lëkura jote.

Nëse dëshiron t i përdorësh të dy, fillo me njërin, ndërto tolerancën për disa javë dhe vetëm pastaj fut tjetrin, duke i përdorur në ditë alternuese, jo në të njëjtën mbrëmje.

Kur bëhet problem?

Edhe pse acidi glikolik njihet si eksfoliant “i butë” krahasuar me trajtime më agresive, mbetet përbërës aktiv. Përdorimi i shpeshtë, shtresimi i disa acideve bashkë, mungesa e kremit me SPF dhe mosvënia re e shenjave të para të irritimit mund të çojnë në:

thatësi
skuqje dhe ndjeshmëri
lëkurë që rrjepet
prishje të barrierës dhe akne reaktive
rritje të rrezikut nga dëmtimi i diellit.