
Larja e fytyrës në mbrëmje, sidomos kur jemi me make up, sot duket si një hap i vetëkuptueshëm. Skincare është bërë trend, rutinë, pothuajse ritual. E megjithatë, ka ende nga ato mbrëmje kur lodhja fiton, krevati na thërret dhe mendja na thotë: “E laj nesër në mëngjes”. Pra, po, ka ende nga ato raste kur shkojmë në shtrat me fondatinë, SPF-në, sebumin, ndotjen e qytetit dhe gjithë produktet e ditës ende mbi lëkurë.
Nuk është vetëm çështje estetike. Është një zakon që lë gjurmë shumë më shpejt seç mendojmë.
Së pari, po, fjetja me make up dhe papastërti në fytyrë ndot jastëkun. Kjo nuk është thjesht çështje higjiene, por një terren perfekt për shumimin e baktereve që më pas rikthehen në lëkurë, natë pas nate. Nëse kërkojmë një fytyrë të pastër dhe të qetë, nuk mund të injorojmë faktin që mbrëmja është momenti kyç ku gjithçka fillon ose prishet.
Ekziston një keqkuptim i famshëm: “lëkura nuk po merr frymë”. Në fakt, oksigjeni nuk vjen nga jashtë përmes poreve, por nga qarkullimi i gjakut. Poret kanë një tjetër detyrë: të transportojnë sebumin drejt sipërfaqes, për të mbajtur lëkurën elastike, si dhe të nxjerrin djersën për të rregulluar temperaturën e trupit.
Te disa lëkura, poret bllokohen shumë më lehtë. Kur përzien mbi to make up, SPF të pashplarë, pluhur, smog dhe sebum, formula bëhet ideale për pika të zeza dhe puçrra. Këtu larja dhe strukja e fytyrës çdo mbrëmje nuk është luks, por minimumi i domosdoshëm.
Çfarë ndodh kur nuk pastrojmë fytyrën natën
Kur shkojmë në shtrat pa hequr gjithçka që është mbledhur gjatë ditës, efekti nuk shihet vetëm të nesërmen. Me kalimin e kohës:
-poret mund të duken më të zgjeruara
-prodhimi i sebumit del nga ekuilibri, duke shkaktuar zona më të yndyrshme ose më të thata
-mund të shfaqen irritime, skuqje, inflamacion
Barriera e lëkurës, e cila gjatë ditës lufton kundër ndotjes, klimës, dritës blu dhe stresit, dobësohet. Lëkura bëhet më e ndjeshme, më reaktive, më e prirur ndaj dehidratimit. Tek lëkurat me prirje ndaj aknes, rozacés ose dermatitit seborik, një rutinë e keqe pastrimi në mbrëmje mund t i përkeqësojë ndjeshëm simptomat.
Gjatë natës, ndërsa ne flemë, lëkura punon. Aktivizohen proceset e rigjenerimit qelizor, riparohet dëmi i ditës, trupi fokusohet te riparimi e jo te mbrojtja. Nëse sipërfaqja e lëkurës është e bllokuar nga një shtresë make up-i, SPF-je dhe papastërtish, ky proces ndërhyhet.
Rezultati, me kalimin e kohës, është një lëkurë që duket më e lodhur, më e zbehtë, me ton jo uniform dhe më shumë vija të holla të dukshme. Në rini, efektet mund të fshihen më lehtë ose të shfaqen më ngadalë, por vite me radhë me të njëjtën zakon e lënë shenjën e vet.
Kur lëkura është e brishtë, me prirje ndaj skuqjes apo reagimeve, tundimi për të “mos e prekur shumë” është i madh. Por në fakt, pastrimi i butë dhe i rregullt është një nga gjërat më të mira që mund t i bëjmë, për sa kohë produktet janë të zgjedhura me kujdes. Lënia e papastërtive gjatë natës vetëm shton rrezikun e irritimit.
