Le të kthehemi pak pas në kohë, në vitin 2019. Një vit ku Hollywood-i ishte i fiksuar me fejesat e yjeve: Jennifer Lawrence, Emma Stone, Jennifer Lopez… dhe mes tyre edhe Scarlett Johansson, atëherë e fejuara e Colin Jost, në prag të martesës së saj të tretë, pas lidhjeve me Ryan Reynolds dhe Romain Dauriac.

Siç ndodh gjithmonë me yjet, sytë nuk u ndalën vetëm te lajmi i fejesës, por sidomos te unaza. Dhe Johansson nuk mori thjesht një unazë, por një objekt xhevahiri që për shumëkënd mbetet ndër më spektakolarët e Hollywood-it.

Bëhet fjalë për një diamant champagne në formë “pikë uji”, me rreth 11 karatë, të vendosur mbi një unazë të lakuar në ngjyrë kafe. Një pjesë unike, elegante dhe paksa e pazakontë, me një vlerë të vlerësuar rreth 400 mijë dollarë. Scarlett e shfaqi për herë të parë në publik në Comic-Con-in e San Diegos, në verën e vitit 2019, gjatë prezantimit të filmit Black Widow të Marvel-it, ku çdo foto nga tapeti i kuq u shndërrua në studim të detajuar të unazës.

Edhe pse nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar, besohet gjerësisht se unaza është realizuar nga James Claude Taffin de Givenchy, nipi i stilistit legjendar Hubert de Givenchy. Në ditët pas lajmit të fejesës, në faqen zyrtare të shtëpisë Taffin u shfaq një diamant identik, i përshkruar si diamant i tipit IIa, një nga format më të rralla dhe më të pastra që ekzistojnë në natyrë, gjë që shpjegon edhe çmimin marramendës.

Unaza, përveçse simbol i dashurisë mes Scarlett dhe Colin Jost të cilët u martuan një vit më vonë në një ceremoni intime dhe larg kamerave ka tashmë edhe një histori që duket sikur është shkruar për një komedi romantike.

Në një intervistë, Jost ka treguar se një ditë Scarlett nuk e gjente më unazën në gisht. Mendimi i parë: duhet të ketë përfunduar në koshin e plehrave. Pa u menduar gjatë, ai del në rrugë dhe fillon të kontrollojë kazanet e mbeturinave. “Kam parë në 12 kazanë”, ka treguar ai me humor. Pasi kërkimi dështoi, ai u kthye në shtëpi i përgatitur t’i thoshte së shoqes se unaza ishte zhdukur. Por aty e priste kthesa e skenarit: Scarlett e priti duke i thënë thjesht, me një “ups” shumë hollywoodian, se unaza kishte qenë gjatë gjithë kohës në xhepin e saj. “Ishte një ditë e mrekullueshme për mua”, ka thënë Jost me ironi.

Një diamant shumë i rrallë, i punuar nga një emër i madh i botës së xhevahirisë, me një histori që përfshin dashuri, panik, kazanë plehrash dhe një “ishte gjithë kohës në xhep” që mund të ishte skenë filmi. Sot, unaza e fejesës së Scarlett Johansson mbetet një nga simbolet më të komentuar të luksit dhe romancës në Hollywood.