
Billy Ray Cyrus i ka quajtur “të rreme dhe absurde” pretendimet e një gruaje, e cila ka ngritur padi duke thënë se është nëna biologjike e vajzës së tij, Miley Cyrus.
Sipas Daily Mail, gruaja me emrin Jayme Lee ka dorëzuar në maj një padi, ku pretendon se e ka lindur Miley-n në moshën 12-vjeçare dhe se ka pasur një “marrëveshje private birësimi” me Billy Ray dhe nënën e Miley-t, Tish Cyrus. Ajo thotë se ka pësuar “dëmtim të rëndë emocional” pasi Billy Ray, sipas saj, ka “keqparaqitur rrethanat” e këtij birësimi të supozuar.
Lee pretendon se marrëveshja e tyre e supozuar për birësim përfshinte të drejtën që ajo t’i vinte emrin Miley-t dhe të punonte si dado dhe si mësuese e saj e pianos.
Në padi, ajo akuzon Billy Ray-n dhe Tish-in për “shkelje kontrate, mashtrim dhe keqparaqitje, shkaktim të qëllimshëm të dëmtimit emocional dhe ndërhyrje të paligjshme në të drejtat prindërore”.
Sipas raportimit, Lee pretendon gjithashtu se, pas lindjes së Miley-t, Billy Ray dhe Tish kanë ndërprerë çdo kontakt me të dhe madje e kanë “kërcënuar me masa policore”, gjë që ajo e ka përfshirë në një version të ndryshuar të padisë në qershor.
Mes kërkesave të saj ishte edhe realizimi i një testi të mbikëqyrur të atësisë dhe amësisë për Miley-n dhe prindërit e saj ligjorë, si dhe rishikimi i ligjshmërisë së birësimit të supozuar, në varësi të rezultateve. Megjithatë, kërkesa për gjyq i është rrëzuar nga një gjykatës në tetor.
Më 20 nëntor, Billy Ray ka depozituar një kërkesë për hedhjen poshtë të të gjitha pretendimeve të Lee-s. Sipas Daily Mail, këngëtari 64-vjeçar e akuzon atë se ka ngritur padinë “me qëllim ngacmimi” ndaj tij dhe familjes.
Ai ka dorëzuar gjithashtu më 1 dhjetor një përgjigje zyrtare kundër padisë së ndryshuar të Lee-s, duke deklaruar se vetëm së fundmi kishte marrë dijeni për ekzistencën e padisë.
Avokati i Billy Ray-t i ka thënë medias se, më 5 dhjetor, gjykata e ka hedhur poshtë padinë e Jayme Lee-s:
“Sot në mëngjes, Gjykata e ka rrëzuar padinë përgjithmonë (‘with prejudice’) dhe i ka dhënë zotit Cyrus të drejtën për rimbursimin e tarifave dhe shpenzimeve të arsyeshme ligjore,” thuhet në deklaratë.
Përfaqësuesit e Billy Ray, Tish dhe Miley-t nuk iu janë përgjigjur menjëherë kërkesave të Page Six për koment.
Billy Ray dhe Tish, 58 vjeçe, kanë tre fëmijë së bashku: Miley (33), Braison (31) dhe Noah (25). Ai gjithashtu ka birësuar fëmijët e Tish-it nga martesa e saj e mëparshme me Baxter Neal Helson: Brandi (38) dhe Trace (36).
Së fundmi, këngëtari ka uruar publikisht Miley-n për fejesën me muzikantin Maxx Morando, pavarësisht viteve të ftohjes dhe largësisë në marrëdhënien e tyre.
Billy Ray dhe Tish u ndanë në vitin 2022, pas gati 28 vitesh martesë.
