Ka njerëz që presin verën për detin dhe ka njerëz që numërojnë ditët derisa mali të vishet me borë. Diku mes një “alpenglow”-i rozë, një gote vere të kuqe dhe një pancake të ngrohtë, fillon ajo ndjesia që të bën të thuash: “Ok, po, unë jam njeri dimri”.

Nga Dolomitet italiane tek ekstremet e veriut skandinav, ja disa nga destinacionet ku skitë nuk janë vetëm sport, por pjesë e një stili jete.


Selva (Itali)
Selva në Val Gardena është për ata që duan të humbasin orën, por jo rrugën. Këtu nuk flet për “një pistë a dy”, por për itinerare të tëra që të çojnë vërdallë masivit të Sellës, me një “ski safari” rreth 40 km që të lejon të kalosh nga një luginë në tjetrën pa hequr skitë.

Dolomitet kanë një dritë të tyre, sidomos në mëngjes dhe në perëndim, kur majat marrin një nuancë rozë që duket sikur është vënë filtër pa patur nevojë. Selva është bazë ideale për këdo që do kilometra, panoramë dhe një miks shumë të butë mes stilit italian, gjuhës gjermanishte dhe kuzhinës alpine. Një cappuccino në mëngjes, një gotë verë lokale në darkë në mes, borë sa të duash.

St. Anton (Austri)
Nëse ka një vend ku koncepti “après-ski” është pothuajse po aq i rëndësishëm sa vetë skitë, është St. Anton. Malet janë serioze, pistat po ashtu por rreth orës 15:00, resorti ndryshon ritëm. MooserWirt dhe baret përreth mbushen me njerëz me helmetë në dorë dhe çizme bore në këmbë që kërcejnë në mes të borës sikur janë në festival veror.

Përtej anës “party”, St. Anton është edhe shumë autentik: kuzhina austriake vjen me pjata “comfort food” si Kaiserschmarren, një lloj pancake e grirë dhe e karamelizuar që shkon perfekt pas një dite në ajër të ftohtë. Ideal për ata që duan adrenalinë në pistë dhe atmosferë pa komplekse pas saj.

Crans Montana (Zvicër)
Crans Montana është përgjigjja zvicerane për të gjithë ata që duan stil, snowpark dhe skenë të re. Falë parkut të madh Alaïa, resorti është bërë magnet për freestylers, snowboarders dhe një brezi që kërkon më shumë sesa thjesht pista klasike.

Por kjo është ende Zvicër: organizim perfekt, pamje të hapura, fshatra me shtëpi druri dhe një ritëm që të lejon të kalosh nga adrenalina në qetësi vetëm me një shëtitje të shkurtër në qendër.

Borovets (Bullgari)
Jo të gjithë duan të shpenzojnë si në St. Moritz për të parë borë. Borovets, afër Sofjes, është prova që skitë në Europë mund të jenë të përballueshme. Me rreth 58 km pista dhe çmime shumë më të ulëta se resortet klasike të Alpeve perëndimore, ky destinacion është ideal për fillestarë, grupe shoqërie apo ata që duan disa ditë në mal pa frikë nga fatura.

Zermatt (Zvicër)
Në Zermatt, edhe ai që nuk di të veshë skitë ka çfarë të bëjë. Fshat pa makina, shtëpi druri, rrugë të ngushta, restorante të vogla dhe gjithçka nën vështrimin e Matterhorn-it, malit më ikonik të Zvicrës.

Për skiatorët, linjat moderne të teleferikëve që lidhin Zvicrën me Italinë përmes akullnajave krijojnë një eksperiencë të plotë: mund ta nisësh ditën me mëngjes në Zermatt dhe ta mbyllësh me një espresso në Cervinia. Për të tjerët ka muze, shëtitje, dyqane, dhe thjesht luksin për të qëndruar me kafe në dorë e për të parë botën të kalojë mbi borë.

Avoriaz 1800 (Francë)
Avoriaz nuk është thjesht resort, është statement. I projektuar në vitet ’60 si një fshat pa makina, i mbështjellë nga bora dhe i ndërtuar me materiale natyrore, Avoriaz 1800 duket sikur del nga një film futurist.

Pistat nisin praktikisht nga dera e hotelit apo apartamentit, kështu që ndjesia “jetoj në një fshat të mbuluar nga bora” është reale, jo marketing. Për ata që duan një miks midis dizajnit, skive dhe ndjesisë se je në një vend ndryshe nga të tjerët, ky është destinacioni i duhur.

Skandinavia (Norvegji, Suedi, Finlandë)
Dimri në veri nuk është i njëjtë me dimrin në Alpe. Këtu, skitë janë pjesë e një rituali më të gjerë që përfshin saunën, zhytjen në ujë të ftohtë, kulturën lokale dhe, me pak fat, aurorën boreale.

Në Finlandë mund të skiosh nën qiellin që ndizet me drita jeshile e vjollcë; në Norvegji, resortet si Trysil të japin peizazhe të hapura, pyje të dendura dhe ndjesinë se je shumë larg gjithçkaje; në Suedi, zona si Sälen ofrojnë pak nga të gjitha – familjare, sportive, të organizuara.

Në fund të sezonit, kur të gjithë mendojnë se bora po mbaron, veriu ofron surprizën e vet: në Riksgränsen mund të skish nën diellin e mesnatës. Të rrëshqasësh në një pistë të bardhë ndërkohë që nata është dritë, është një nga ato përvoja që nuk i ngatërrohen me asgjë tjetër.