“Ne jemi ajo që hamë”, thoshte Feuerbach. Por ndoshta duhet shtuar: jemi edhe ajo që hanë nënat tona, ose ajo që na mësojnë të hamë. Janë ato që përcaktojnë zakonet tona ushqimore dhe shijet, që nga momenti kur jemi ende në bark. Nuk është gjë e re: ka qenë gjithmonë kështu. Për breza me radhë, nënat kanë transmetuar vlera dhe edukim ushqimor pothuajse automatikisht, duke ndjekur traditën dhe zakonin. Por sot po jetojmë një ndryshim epokal.

Dikur ushqimi ishte më i thjeshtë: gatime shtëpie, me përbërës të freskët, kryesisht të përgatitura nga gratë. Siç shkruan Michael Pollan në bestsellerin 'In Defense of Food', deri në gjysmën e parë të shekullit XX hanim siç hanin prindërit tanë dhe gjyshërit tanë: receta të trashëguara, ritme familjare, shumë pak përpunim. Pastaj diçka ndryshoi. U la mënjanë fjala “ushqim” dhe u futën në fjalor “lëndët ushqyese”: proteina, karbohidrate, yndyra, vitamina.

Kjo qasje e re solli përfitime të pamohueshme një ushqyerje më të plotë dhe më të balancuar, por e bëri gjithçka edhe më të ndërlikuar, duke hapur derën e trendeve, dietave të modës, mesazheve të industrisë ushqimore dhe zhurmës së pafund të rrjeteve sociale.

Ka edhe një faktor tjetër kyç: po shohim një ndryshim të vërtetë brezash në mënyrën si transmetohet kultura ushqimore.

Dikur ishte më e lehtë të ruaje “vijën amtare”: partneri zgjidhej zakonisht nga i njëjti vend apo zonë, që do të thoshte tradita kulinare të përbashkëta. Udhëtohej pak, kontaktet me kultura të tjera ishin të kufizuara, dhe kuzhinat ndërkombëtare nuk ishin aq të pranishme sa sot. Nuk ekzistonin konceptet bio, eko, ultra–të përpunuar. Madje produktet e reja të paketuara shiheshin si risi komode për t’u provuar.

Sot skenari është krejt tjetër. Nënat ndihen nën një presion shumë të fortë mediatik dhe shoqëror: çfarë është e drejtë, çfarë është e gabuar, çfarë është e shëndetshme, çfarë është e dëmshme.

Michael Pollan propozon një rikthim te një marrëdhënie më e thjeshtë dhe instinktive me ushqimin, të përmbledhur në formulën e famshme:
“Ha ushqim. Jo shumë. Kryesisht bimor.”

Por në praktikë, si mund të orientohemi? Për të bërë më shumë dritë, Elle ka folur me Dott.ssa Valentina Turrini dhe Dott.ssa Arianna Mazzoni, biolge nutricioniste për moshën pediatrike. Ato shpjegojnë cilat trende ia vlen të ndiqen e cilat jo, si të gjesh një kompromis mes përditshmërisë dhe cilësisë ushqimore pa u ndier “nënë e keqe”, çfarë roli ka familja dhe cilët janë sjelljet prindërore më influente.

Qëllimi? Të shmangim gabimet më të zakonshme në edukimin ushqimor të fëmijëve dhe të ndërtojmë një marrëdhënie të qetë me ushqimin, pa rënë në grackën “ushqime të mira” dhe “ushqime të këqija”.

Si ta thjeshtojmë zgjedhjen e “rrugës së duhur”?
“Sot kemi akses te një sasi e madhe informacioni, por ky bollëk nuk do të thotë domosdoshmërisht cilësi. Jo çdo gjë që lexojmë online është e besueshme,” shpjegon Turrini. “Në internet bashkëjetojnë profile shumë kompetente me të tjerë që, edhe pse flasin për ushqyerje, nuk kanë formim specifik. Për prindërit kjo është shpesh shumë dezorientuese. Prandaj është e rëndësishme të shohin nëse ajo që u servohet bazohet te udhëzimet dhe evidencat e komunitetit shkencor.”

“Bazat shkencore nuk negociohen,” shton Mazzoni. “Është thelbësore t’i besoni njerëzve që kanë kualifikimin e duhur për temën për të cilën flasin dhe që janë në përditësim të vazhdueshëm. Mos kini frikë të pyesni ata që postojnë e japin këshilla pse kanë të drejtë t’i japin dhe mbi çfarë bazohen. Nuk duhet t’ia lëmë veten në dorë figurave të tjera, vetëm se flasin bukur në rrjete. Ky është hapi i parë për të lundruar në këtë botë sa konfuzuese, aq edhe shpesh mashtruese.”

Organizim dhe thjeshtësi: të mos ndihesh “nënë e keqe” kur koha mungon
“Jeta e përditshme është e shpejtë, dhe koha për të gatuar zakonisht është e kufizuar. Çdo nënë  por në përgjithësi çdo familje bën maksimumin për të menaxhuar gjithçka,” thotë Turrini. “Cilësia e ushqyerjes nuk lind nga perfeksioni, por nga zgjedhje të thjeshta dhe të qëndrueshme, që mund t’i mbash edhe kur ke pak kohë.”

Një pikënisje e mirë është organizimi: një menu javore ndihmon të shpejtohet përgatitja e vakteve dhe ul stresin e përhershëm të “çfarë do hamë sot?”.

Një aleat tjetër është të njohësh më mirë produktet që ke në dispozicion: perimet e ngrira “natyrale”, pa salca apo shtesa, dhe bishtajoret e gatshme mund të jenë pjesë e përditshmërisë; vaktet e gatshme të plota, përkundrazi, është më mirë të ruhen për raste të jashtëzakonshme.

“Të gjesh ekuilibrin është e mundur dhe shpesh më e thjeshtë nga ç’e imagjinojmë,” shton Turrini. “Bashkë me prindërimin vjen edhe krahasimi i vazhdueshëm, dhe pikërisht këtu rrjetet sociale shpesh nuk ndihmojnë. E vërteta është që thjeshtësia dhe autenticiteti i produkteve që zgjedhim janë gjithmonë karta fituese. Nuk është e nevojshme të gatuash pjata ‘gourmet’ çdo ditë, as të arrish perfeksionin.”

Mazzoni sugjeron edhe disa truke praktike: “Merrni ide online si burim frymëzimi, për t’u argëtuar kur keni kohë e dëshirë, por mos e ktheni pritshmërinë e Instagram-it në standard të jetës suaj. Thjeshtësia është çelësi. Ndihmon shumë edhe planifikimi i pazareve një herë në javë, të kesh gjithmonë diçka bazike në shtëpi për të gatuar, dhe të gatuash në sasi pak më të mëdha për t’i ngrirë e përdorur në ditët në vijim.”

Roli kyç i familjes si shembull
Të dyja ekspertet bien dakord në një pikë: familja është “laboratori” i parë ku ndërtohet marrëdhënia me ushqimin.

“Sipas meje, familja ka një rol kyç në raportin që fëmija do zhvillojë me ushqimin,” thotë Mazzoni. “Qetësia me të cilën prindi i afrohet tavolinës përkthehet në qetësi nga ana e fëmijës. Prindi është shembull jo vetëm për cilësinë e ushqimit që ofron, por edhe për kohën dhe qetësinë që i dedikon vetë momentit të vakteve.”

Një ndër sjelljet më influente? Të konsiderosh fëmijën pjesë të plotë të tryezës familjare, jo një “projekt” më vete. “Është e rëndësishme të mos e bombardon me presion e vëmendje të tepërt. Lëre të eksplorojë, të zbulojë, të zgjedhë me ritmin e vet. Ta kuptojë që ushqimi nuk është detyrim, por kënaqësi dhe mënyrë për të ushqyer trupin.”

Turrini vendos fokusin te përbashkëtimi dhe te heqja dorë nga shpërqendrimet: “Mënyra si ne e jetojmë ushqimin çdo ditë bëhet modeli i tyre. Të hash bashkë sa herë që është e mundur forcon lidhjen prind–fëmijë dhe ofron një shembull konkret e sigurues, sidomos në fazat kur fëmijët tregojnë refuzim ose bëhen shumë selektivë. Një tjetër element i rëndësishëm është të krijosh një ambient të qetë: pa televizor të ndezur, pa telefona në tavolinë. Kështu fëmijët mund të përqendrohen te ushqimi dhe te marrëdhënia, dhe vakti bëhet vërtet një moment i përbashkët.”

“Një nga gabimet më të zakonshme është t’u transmetojmë fëmijëve, edhe pa dashur, një vizion moralist të ushqimit, me ‘sgarra’, ‘budallallëqe’, ‘ndalohet’,” thotë Turrini. “Çdo ushqim mund të ketë vendin e vet. Disa shfaqen më shpesh në menu, të tjerë më rrallë, por nuk është e nevojshme t’i demonizojmë. Përkundrazi, ushqimi ‘i ndaluar’ bëhet edhe më i dëshiruar.”

Për të ndërtuar një marrëdhënie të qetë me ushqimin, është më mirë t’i paraqesim të gjitha ushqimet në të njëjtin nivel, pa i kthyer në shpërblime apo ndëshkime dhe pa u dhënë role edukative që nuk i kanë.

“Një këshillë themelore: le të shmangim komentet për oreksin, zgjedhjet ushqimore apo trupin e fëmijëve,” shton Turrini. “Etiketat edhe ato të thëna me shaka mund t’i shoqërojnë gjatë dhe të ndikojnë në raportin e tyre me ushqimin dhe me veten.”

“Ju siguroj,” përfundon Mazzoni, “se një biskotë apo një pije e ëmbël në ditë bëjnë shumë më pak dëm sesa frika që mund t’u mbjellim fëmijëve me një qëndrim të bazuar te privimi dhe demonizimi i ushqimeve.”