
“Netflix, Inc. dhe Warner Bros. Discovery, Inc. (WBD) kanë nënshkruar një marrëveshje përfundimtare sipas së cilës Netflix do të blejë Warner Bros., përfshirë studiot kinematografike dhe televizive, HBO Max dhe HBO” me këtë fjali nis komunikata zyrtare e publikuar sot në faqen e Netflix, ku gjiganti i streaming-ut konfirmon një nga lëvizjet më të mëdha të historisë së industrisë së argëtimit.
Vlera totale e marrëveshjes vlerësohet rreth 82,7 miliardë dollarë. Transaksioni pritet të mbyllet pasi divizioni Global Networks i WBD, Discovery Global, të ndahet në një kompani të re të listuar në bursë. Sipas parashikimeve, finalizimi synohet në tre-mujorin e tretë të vitit 2026.
Në thelb, kemi të bëjmë me një bashkim midis dy emrave gjigantë:
– nga njëra anë, inovacioni dhe platforma lider në streaming, Netflix
– nga ana tjetër, mbi një shekull histori dhe storytelling global të nivelit të lartë, Warner Bros.
Në profilin e saj në Instagram, Netflix e përmbledh kështu:
“Sot, Netflix shpalli blerjen e Warner Bros. Së bashku, do të përcaktojmë shekullin e ardhshëm të tregimit të historive, duke krijuar një ofertë të jashtëzakonshme argëtimi për publikun në mbarë botën.”
Bashkë-CEO i Netflix, Ted Sarandos, shpjegon filozofinë pas kësaj lëvizjeje strategjike:
“Misioni ynë ka qenë gjithmonë të argëtojmë botën. Duke kombinuar katalogun e jashtëzakonshëm të filmave dhe serive të Warner Bros. nga klasikë të përjetshëm si Casablanca dhe Citizen Kane, tek klasikët modernë si Harry Potter dhe Friends me titujt tanë që kanë përcaktuar kulturën si Stranger Things, KPop Demon Hunters dhe Squid Game, do të mund ta bëjmë këtë edhe më mirë. Së bashku, mund t’i ofrojmë publikut më shumë nga ajo që do dhe të ndihmojmë të përcaktojmë shekullin e ardhshëm të tregimit të historive.”
Nga ana tjetër, David Zaslav, president dhe CEO i Warner Bros. Discovery, e sheh marrëveshjen si një vazhdimësi të natyrshme të trashëgimisë së studios:
“Njoftimi i sotëm bashkon dy nga kompanitë më të mëdha të storytelling-ut në botë, për t’i ofruar edhe më shumë njerëzve argëtimin që ata duan të shohin. Prej më shumë se një shekulli, Warner Bros. ka entuziazmuar publikun, ka kapur vëmendjen e botës dhe ka ndikuar kulturën. Duke u bashkuar me Netflix, sigurojmë që njerëzit kudo në botë të vazhdojnë të gëzojnë historitë më emocionuese edhe për brezat që vijnë.”
Me këtë marrëveshje, kufijtë mes “kinemasë klasike” dhe “platformave streaming” shuhen edhe më shumë dhe gara për vëmendjen e publikut global hyn zyrtarisht në një fazë të re.
View this post on Instagram
