A mund ta ndryshojë një filxhan çaj gjithë ditën? Ndoshta po. Ekspertët e mirëqenies thonë se rutina e mëngjesit ka ndikim të madh në mënyrën si ndihemi gjatë ditës fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht.

Disa betohen te uji i ngrohtë me limon, të tjerë te lëngu jeshil apo smoothie-t me proteina. Lista është e pafund.
Por ka edhe një tjetër ritual që po fiton shumë fansa: një çaj/infuzion me kanellë, çaj jeshil, xhenxhefil dhe shafran Indie (turmerik).

Autorja e këtij artikulli nga Vogue thotë se e ka futur në rutinë para pesë vitesh, me rekomandim të nutricionistes, dhe që prej asaj kohe ndjehet më lehtë, më e ngopur, me më shumë energji dhe me tretje shumë më të mirë. Ditët kur nuk e pi, e vëren menjëherë ndryshimin.

Pse këta 4 përbërës funksionojnë kaq mirë së bashku?
Secili prej tyre, edhe i vetëm, njihet për veti anti–inflamatore dhe antioksidante. Të katërt së bashku, “fuqitë” e tyre amplifikohen sidomos për tretjen, fryrjen e zorrëve dhe energjinë gjatë ditës.

Kanellë + çaj jeshil
Ndihmojnë në stabilizimin e sheqerit në gjak. Çaji jeshil, përveç kësaj, njihet për rritjen e lehtë të metabolizmit dhe përmirësimin e performancës fizike.
Xhenxhefil
Qetëson të përzierat, mbështet sistemin imunitar dhe mund të ndihmojë në uljen e lehtë të sheqerit në gjak kur merret esëll.
Shafran Indie (turmerik)
I afërm “i verdhë” i xhenxhefilit: sjell fibra, pak proteina, vitamina C, E, K dhe minerale si kalcium, bakër, hekur, magnez, kalium dhe zink. I njohur gjerësisht edhe për rolin e tij anti–inflamator.
Autorja e përgatit këtë infuzion një herë në javë, të dielën në darkë: zien ujin, hedh përbërësit, rregullon raportet sipas shijes dhe e ruan në një shishe qelqi në frigorifer. Çdo mëngjes, vetëm 30 sekonda në mikrovalë dhe çaji është gati.


Ky çaj nuk është “magjia” që bën gjithçka vetë, por një ritual i vogël që të ndihmon të nisësh mëngjesin me më shumë qartësi, ngrohtësi dhe energji.

Sigurisht, nuk zëvendëson mendimin mjekësor. Nëse ke sëmundje kronike, je shtatzënë, merr ilaçe (veçanërisht hollues gjaku/antikoagulantë), duhet patjetër të këshillohesh me mjekun para se ta bësh pjesë të përditshme të rutinës tënde.

Receta 
(sasi për një shishe / një litër)

Përbërësit:

1 litër ujë
1 shkop kanelle (ose rreth ½ lugë gjelle kanelle pluhur)
2 qese çaj jeshil (ose rreth 2 lugë gjelle çaj jeshil të lirë)
3–4 feta xhenxhefil të freskët
½ lugë gjelle shafran Indie (turmerik) pluhur
opsionale: ëmbëltues sipas dëshirës (mjaltë, agave etj.)
Përgatitja:

Hidh të gjithë përbërësit në një tenxhere.
Shto ujin dhe lëre të vlojë.
Kulloje dhe derdhe në një shishe ose kavanoz qelqi.
Ruaje në frigorifer.
Çdo mëngjes, mbush një filxhan, ngrohe rreth 30 sekonda.
Pije ngadalë, sapo zgjohesh.
Një filxhan, katër përbërës, pesë minuta qetësi me veten jo zgjidhja për gjithçka, por një fillim shumë më i mirë për ditën.