
Katër mbrëmje radhazi, 20.000 zemra dhe një sallë që u duk e vogël për gjithë atë dashuri. Në Prishtinë, u mbajt “MOTIV i jetës time”: mbi 30 këngë, aranzhime të rishkruara për skenë live, efekte dhe surpriza që Albani i kishte premtuar prej muajsh publikut kosovar.
Vetë Albani e ka pranuar se Kosova dhe Prishtina kanë qenë një nga burimet kryesore të frymëzimit të tij gjatë 22 viteve karrierë, një publik që e ka formuar si artist dhe si njeri. Nuk është rastësi që pikërisht këtu “MOTIV” u zgjerua nga një natë në katër, duke thyer një rekord për sallën ku, deri dje, maksimumi i artistëve të tjerë ishte vetëm një mbrëmje.
View this post on Instagram
Mikpritja ishte ajo që vetëm Kosova di të bëjë: njerëz që vijnë nga qytete të ndryshme, grupe shoqërish që e kanë Albanin soundtrack të adoleshencës, çifte që e kanë këngët e tij kolona zanore të martesës.
Në skenë, atmosfera u nxit edhe më shumë nga miqtë e tij: Capital T dhe Ledri sollën energjinë e rap-it të Prishtinës, Elgit Doda shtoi aromën e bashkëpunimeve që tashmë janë bërë himne, ndërsa Miriam Cani, në skenë, jo vetëm si partnerja e tij në jetë, por edhe si artiste i dha koncertit një dimension intim, familjar, të atyre dueteve që duket sikur i ke parë gjithmonë, por çdo herë të emocionojnë si herën e parë.
View this post on Instagram
Para Prishtinës, projekti ka kaluar nga Air Albania Stadium në Tiranë. Më pas erdhi Forum di Milano, një tjetër sallë prestigjioze ku ai arriti shifra rekord për një artist shqiptar.
Prishtina ishte, në një farë mënyre, rikthimi në shtëpinë tjetër. Dhe ky nuk është fundi: në fillim të vitit 2026, “MOTIV” udhëton drejt Londrës, më 4 shkurt. Pak javë më pas, më 21 mars 2026, turneu ndalet në Athinë në Galatsi Olympic Hall Christmas Theater, në një mbrëmje që ambasada shqiptare në Greqi e përshkruan si një moment të rëndësishëm kulture për diasporën.
Katër netët në Prishtinë e vulosën këtë: “MOTIV i jetës time” nuk është vetëm historia e tij. Është motivi i një gjenerate të tërë.
View this post on Instagram
