
Fëmijët e Princit Harry dhe Meghan Markle, Princi Archie, 6 vjeç, dhe Princesha Lilibet, 4 vjeçe, mund të jenë shumë shpejt në rrugë për në Mbretërinë e Bashkuar, për t’u takuar sërish me gjyshin e tyre, Mbretin Charles III.
Kjo vjen pas një zhvillimi të ri në betejën ligjore të Harry-t për çështjen e sigurisë në territorin britanik.
Komiteti Mbretëror dhe VIP për Sigurinë (RAVEC) ka nisur një rishikim të plotë të masave mbrojtëse për Dukën e Sussex-it, ku po rivlerësohet niveli i rrezikut dhe mbrojtjes që ai duhet të ketë. Qeveria britanike ka mbledhur prova nga ekipi i Harry-t dhe nga policia, ndërsa vendimi pritet të shpallet muajin e ardhshëm. Zëdhënësit zyrtarë theksojnë se sistemi i sigurisë është “i rreptë dhe proporcional”, por refuzojnë të japin detaje, pikërisht për të mos kompromentuar sigurinë e personave të përfshirë.
Kujtojmë se në maj, Harry, tani 41 vjeç, humbi apelin kundër vendimit të qeverisë britanike për t’ia hequr sigurinë e financuar nga shteti, pasi ai u tërhoq nga detyrat zyrtare mbretërore dhe u zhvendos në Amerikën e Veriut. Prej asaj kohe, ai ka qenë i distancuar nga vëllai i tij, Princi William, dhe nga babai, Mbretit Charles. Botimi i librit të tij autobiografik “Spare” dhe seriali në Netflix, ku ai foli hapur për konfliktet familjare, vetëm sa e thelluan më shumë përçarjen.
Megjithatë, gjatë një vizite në Londër në shtator, Harry dhe Charles u takuan për herë të parë pas më shumë se një viti. Sipas burimeve pranë familjes, takimi ka qenë emocional, me “përqafime dhe lot”, dhe me një atmosferë “pozitive dhe të sinqertë”, pavarësisht raporteve që e përshkruanin si të ftohtë dhe formale. Para këtij takimi, ata nuk ishin parë ballë për ballë që nga shkurti 2024, kur Charles bëri publike diagnozën e tij me kancer.
Nëse rishikimi i sigurisë përfundon në favor të Harry-t, kjo mund të hapë rrugën që Archie dhe Lilibet të udhëtojnë më shpesh drejt Britanisë, duke krijuar mundësi reale për një marrëdhënie më të afërt me gjyshin mbret dhe, ndoshta, për një shkrirje graduale të akujve në familjen më të famshme të botës.
