Thomas Markle, babai i Dukeshës së Sussex-it, i është drejtuar publikisht të bijës me një lutje emocionale nga shtrati i spitalit.

81-vjeçari, ish-drejtor ndriçimi, po rikuperohet në një spital në Filipine, ku këtë javë iu nënshtrua një operacioni treorësh për amputimin e pjesës së poshtme të këmbës së majtë, për shkak të komplikacioneve serioze. Në një intervistë për “Mail on Sunday”, ai i kërkoi Meghan-it ta takojë “të paktën edhe një herë, para se të vdes”.

Thomas shprehu dëshirën jo vetëm për të parë Meghan-in, por edhe për të takuar për herë të parë nipërit e tij, Princin Archie (6 vjeç) dhe Princeshën Lilibet (4 vjeçe), si dhe bashkëshortin e saj, Princin Harry:
“Kam gjithmonë thënë se jam i hapur për pajtim. Nuk kam reshtur kurrë së e dashuri. Nuk dua të vdes në mëri me Meghan. Dua të takoj nipërit e mi. Do të ishte bukur të takoja edhe bashkëshortin e saj,” –ka thënë ai.

Konfuzion ka sjellë edhe çështja nëse Meghan ka kontaktuar apo jo me të atin. Një përfaqësues i Dukeshës konfirmoi për Page Six se ajo “është vënë në kontakt me të atin” përpara operacionit. Por vetë Thomas thotë se nuk ka marrë asnjë telefonatë dhe pretendon se nuk ka ndryshuar numër, pikërisht që ajo të mund ta gjente lehtësisht. Edhe burime nga spitali në Cebu kanë deklaruar për “Mail on Sunday” se nuk kanë pasur asnjë telefonatë nga Meghan apo njerëz të saj.

Situatën e ka ndezur edhe më shumë motra e Meghan-it, Samantha Markle, e cila në rrjetin X hodhi poshtë pretendimet për kontakt, duke i quajtur “PR bullsh*t”. Ndërkohë, vëllai i tyre, Thomas Markle Jr., ka treguar se gjendja shëndetësore e të atit ishte përkeqësuar me shpejtësi: këmba i ishte nxirë dhe mjekët kishin frikë nga infeksionet e rënda, ndaj amputimi ishte i domosdoshëm. Sipas tij, “dy-tre ditët e ardhshme janë kritike”.

Thomas Markle ka qenë prej vitesh në qendër të vëmendjes mediatike për marrëdhënien e tensionuar me Meghan-in. Ai mungoi edhe në dasmën e saj me Princin Harry në vitin 2018, pasi iu nënshtrua një operacioni në zemër. Sot, nga shtrati i spitalit në Filipine, mes debateve familjare, deklaratash të kundërta dhe shumë zhurme mediatike, thirrja e tij mbetet e thjeshtë: ai nuk do që distanca me të bijën të jetë fjala e fundit.