Ariana Grande ka rrëfyer së fundmi një nga kujtimet më të çmuara të karrierës dhe të zemrës së saj.

Teksa fliste me studentët në Universitetin Chapman, ajo tregoi për herë të parë se si e gjeti “rrymën” e saj si artiste për albumin debutues Yours Truly në vitin 2013 dhe se sa shumë në këtë histori ka qenë i pranishëm Mac Miller.

Sipas Arianës, ka qenë pikërisht reperi i ndjerë ai që e ka shtyrë të ndjekë rrugën e duhur muzikore.
Mac e inkurajoi të bënte “pop të influencuar nga R&B” një drejtim që më pas do të bëhej identiteti i saj artistik.

“Jam vërtet mirënjohëse për këtë,” tha ajo në një video të publikuar në TikTok më 7 dhjetor, duke shpjeguar se këshilla e tij ishte edhe arsyeja pse e ftoi të ishte pjesë e singëllit “The Way”.
“Jo vetëm sepse ai ishte perfekt për këngën,” shtoi Ariana, “por edhe sepse ndihesha sikur i detyrohesha atij faktin që gjeta rrymën time.”

Ariana dhe Mac kanë qenë në një lidhje nga viti 2016 deri në 2018. Ai u nda nga jeta në vitin 2018, në moshën 26-vjeçare, pas një overdoze. Që prej asaj kohe, këngëtarja ka gjetur mënyra të ndryshme për ta nderuar.

Dy vite më parë, me rastin e 10-vjetorit të Yours Truly, ajo publikoi një version të remasterizuar të videoklipit të “The Way”. Në fund, ekrani nxihet dhe mbetet vetëm një mbishkrim i thjeshtë, bardhezi: “Feat. Mac Miller”. Në vetë këngën, mbi vargun e dytë të Mac-it është shtuar një seksion orkestral me tela, si një homazh i heshtur ndaj tij.

Në një intervistë për Vogue në vitin 2019, Ariana foli hapur për dhimbjen pas humbjes së tij:
“Është një ndjenjë që të përpin,” u shpreh ajo. “Lidhja jonë nuk ka qenë e përsosur, por ai ishte njeriu më i mirë. Nuk i meritonte demonët që kishte.”

Edhe pse vitet kalojnë, Ariana vazhdon ta përmendë Mac-un me shumë delikatesë dhe respekt jo vetëm si ish-partner, por si njeriun që e ndihmoi ta gjejë zërin e saj në muzikë, përpara se bota ta njihte si një nga yjet më të mëdhenj të pop-it sot.