
Kanë kaluar pak më shumë se tri javë nga momenti kur Nicolas Sarkozy hyri në burgun La Santé në Paris, më 21 tetor. Ish-presidenti i Francës u shfaq duke ecur dorë për dore me Carla Brunin bashkëshorten që i ka qëndruar pranë në çdo betejë në një skenë që francezët nuk e kishin parë kurrë: një ish-banues i Elizesë duke hyrë në qeli.
Ishte një ditë e gjatë, njerëzore dhe politike njëkohësisht. Të gjithë fëmijët e Sarkozys, përfshirë Louis (edhe ai në politikë), ishin mbledhur për ta përcjellë. Me ta edhe Giulia, vajza e vogël që vetëm dy ditë më parë kishte fryrë 14 qirinj të ditëlindjes.
Si është Carla Bruni?
Qëndrim i drejtë, kokë lart, sytë e lagur, buzëqeshje e tendosur për të përshëndetur mbështetësit që kishin zënë vend para portës së burgut dhe që këndonin “La Marseillaise” në kor. Janë këto pamje që do të mbeten të gdhendura në kujtesën e Carla Brunit, këngëtares italo-franceze që prej profilit të saj në Instagram vazhdon të mbrojë të shoqin dhe të shpërndajë fjalët e tij.
Pak para se të hynte në burg, Sarkozy deklaronte:
“Sonte nuk po fusin në burg një ish-president të Republikës, por një të pafajshëm.”
Mes fotove nostalgjike, këngëve të dashurisë dhe sfilatave të viteve ’90 që ajo poston rregullisht, realiteti i ashpër i dënimit për “asociim kriminal” në çështjen e financimeve libiane shfaqet si një refren i hidhur që rikthehet pa pushim. Ankthi është i pranishëm, sidomos duke parë se telasheve të vjetra po u shtohen të reja.
Nga qelia 9 m² te liria nën mbikëqyrje
Në pritje të procesit të apelit për çështjen e financimeve nga Libia ku Sarkozy është dënuar në shkallë të parë me pesë vite burg për “asociim në organizatë kriminale”, gjykim i parashikuar nga 16 marsi deri më 3 qershor Gjykata e Apelit në Paris pranoi kërkesën e avokatëve të tij për liri me kusht.
Pas një periudhe prej 20 ditësh në një qeli rreth nëntë metra katrorë, të mbushur me foto familjare dhe tre libra dy vëllimet e “Kontit të Monte Kristos” të Alexandre Dumas dhe një biografi të Jezusit nga Jean-Christian Petitfils më 10 nëntor Nicolas Sarkozy la burgun dhe tani pritet ta kalojë Krishtlindjen me familjen. Por kjo nuk do të thotë se problemet e tij ligjore kanë mbaruar. Përkundrazi.
Rasti Bygmalion: një tjetër goditje
Vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Kasacionit në Francë rrëzoi rekursin e Sarkozy-t në çështjen e njohur si Bygmalion një nga skandalet më të mëdha të financimit të paligjshëm politik në vend.
Hetimet zbuluan një sistem faturimesh të dyfishta që shërbente për të fshehur shpërthimin e shpenzimeve në fushatën e tij presidenciale të vitit 2012, kur ai humbi përballë François Hollande. Shuma totale arrinte rreth 43 milionë euro, ndërsa tavani ligjor i lejuar ishte 22,5 milionë. Pjesa më e madhe e kostove u maskua si shpenzim i partisë UMP (sot Les Républicains), nëpërmjet kontratave fiktive.
Kasacioni, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit, e ka konsideruar Sarkozy-n si përfitues të drejtpërdrejtë si kandidat të këtyre financimeve të paligjshme. Ai është dënuar me një vit burg (nga tre vjet në vendimin e mëparshëm), prej të cilit gjashtë muaj duhen vuajtur realisht, pa pezullim, për “tejkalim të vetëdijshëm” të kufirit të shpenzimeve të fushatës.
Për ish-presidentin, ky është dënimi i dytë penal përfundimtar, pas çështjes së korrupsionit të një gjyqtari dhe “trafikut të influencës”, për të cilën vitin e kaluar mori tre vjet burg (dy me kusht), me të drejtë ta vuajë me byzylyk elektronik.
“Ditari i një të burgosuri”: Sarkozy kthehet në libra
Kjo panoramë e ndërlikuar ligjore bëhet edhe më e ngarkuar nga një tjetër datë: më 10 dhjetor, në Francë del libri i tij i ri, Le journal d’un prisonnier (“Ditari i një të burgosuri”), prej 216 faqesh ku ai rrëfen 20 ditët në qeli.
“Në burg nuk ka asgjë për t’u parë dhe asgjë për të bërë”,
“zhurma është, fatkeqësisht, konstante”,
“jeta e brendshme e njeriut bëhet më e fortë në burg”,
–ka shkruar Sarkozy në X, në prag të publikimit, duke dhënë një shije të tonit introspektiv të librit, botuar nga Fayard.
I mbajtur i ndarë nga të burgosurit e tjerë për të shmangur çdo rrezik ndaj tij, ish-kreu i shtetit nuk ka kërkuar sipas burimeve zyrtare trajtim të veçantë: ai gëzonte të njëjtat të drejta si të gjithë, përfshirë dy orë ajrim në ditë, një në mëngjes dhe një pasdite, për të bërë pak aktivitet fizik. Pikërisht ky “trajtim i barabartë” e ndihmon të identifikohet me figurën e një “Konti të ri të Monte Kristos” që mban si moto shprehjen: “Të presësh dhe të shpresosh”.
Në muajt që vijnë, do të jenë fjalët e këtij libri, proceset gjyqësore që e presin dhe mbi të gjitha pranëqëndrimi i Carla Brunit dhe fëmijëve, ato që do të testojnë sa vlen vërtet ky parim. Për momentin, imazhi është i qartë: një ish-president me një të ardhme ligjore gjithnjë e më të ndërlikuar dhe një ish-supermodele që vazhdon të ecë pranë tij, kokë lart, mes nostalgjisë, brengës dhe një besnikërie që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha.
