
Familja e Martin Canit ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila dënoi me 16 vite burg Mario Përlleshajn, autorin e vrasjes së të djalit. Prindërit e Canit e kanë cilësuar vendimin si momentin e parë pas një viti dhimbjeje ku, sipas tyre, kanë ndier një ndjenjë të qartë drejtësie.
Ata vlerësojnë që gjykata nuk ndoqi rekomandimin e Prokurorisë, por e konsideroi ngjarjen si dy vepra të veçanta penale, vrasjen e Martin Canit dhe tentativën për vrasje ndaj Luis Meçjes. Sipas familjes, ky vendim përfaqëson një akt profesional, të drejtë dhe të guximshëm, pasi pasqyron realisht rrethanat e ngjarjes, ku dy të mitur u goditën me thikë në dy episode të ndara.
Prindërit kanë shprehur mirënjohjen ndaj trupës gjykuese për integritetin e treguar dhe vendimmarrjen që, sipas tyre, i dha peshën e duhur jetës së Martin Canit. Edhe pse vendimi nuk u rikthen dot djalin, ata ndjejnë se dhimbja e tyre u mor në konsideratë dhe se rasti i Martin Canit u trajtua me seriozitet.
Deklarata e familjes:
Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne — familja e Martin Canit — kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.
Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale — vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.
Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.
Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.
I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.
Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.
Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.
Ne do të vazhdojmë misionin tone me:
-Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.
-Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.
-Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.
-Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.
Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.
