Kompania “Moneyz Music” dhe këngëtarja Dafina Zeqiri kanë njoftuar zyrtarisht ndryshimin e vendndodhjes së koncertit të shumëpritur “Supernova”, i cili pritet të zhvillohet në Prishtinë.

Sipas njoftimit, koncerti nuk do të mbahet më në Sallën “1 Tetori”, pasi ky ambient do të vihet në dispozicion të autoriteteve dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për zhvillimin e procesit zgjedhor që përkon me datat e planifikuara të eventit.

Pas konsultimeve dhe bashkëpunimit me institucionet kompetente, organizatorët kanë siguruar një lokacion të ri:
“Supernova Dafina Zeqiri” do të zhvendoset në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Në komunikatë theksohet se ky ndryshim është bërë për të ruajtur të njëjtat data, si dhe cilësinë dhe standardin e lartë të prodhimit që ishte planifikuar fillimisht, duke garantuar një përvojë të denjë për publikun dhe për vetë artistën.

Organizatorët sqarojnë gjithashtu se:

-të gjitha biletat e blera deri tani mbeten të vlefshme,
-nuk kërkohet asnjë veprim shtesë nga ana e publikut,
-të gjitha të dhënat në biletë do të jenë të aplikueshme për lokacionin e ri.
Në fund, “Moneyz Music” falënderon publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke premtuar një mbrëmje të paharrueshme në lokacionin e ri të koncertit “Supernova”.