
Australia është bërë vendi i parë në botë që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, duke vendosur një precedent që po ndiqet me shumë vëmendje nga qeveritë dhe rregullatorët në mbarë globin.
10 prej platformave më të mëdha, mes tyre TikTok, YouTube, Instagram dhe Facebook, janë të detyruara ligjërisht të bllokojnë aksesin për përdoruesit nën 16 vjeç, ndryshe përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë.
Kryeministri Anthony Albanese e quajti këtë një ditë historike për familjet australiane, duke theksuar se ligji është prova që politika mund të ndërhyjë për të frenuar dëmet e mjedisit online, të cilat shpesh kanë ecur më shpejt se çdo mekanizëm mbrojtës tradicional.
“Kjo do të bëjë një ndryshim të jashtëzakonshëm. Është një nga ndryshimet më të mëdha sociale dhe kulturore që vendi ynë ka përjetuar,” –deklaroi ai në një konferencë për shtyp, duke e cilësuar reformën si “të thellë” dhe me jehonë globale.
Në një mesazh video drejtuar të rinjve, Albanese i ftoi ata që, gjatë pushimeve të verës që po afrohen, “të fillojnë një sport të ri, një instrument të ri, ose të lexojnë më në fund atë libër që ka mbetur prej kohësh në raft”.
Ligji u kërkon platformave të identifikojnë dhe ndalojnë përdoruesit nën 16 vjeç, duke përdorur një kombinim metodash:
“Age inference” –algoritme që vlerësojnë moshën përmes sjelljes online;
Verifikim përmes selfie-ve –sisteme të vlerësimit të moshës nga pamja;
Në disa raste mund të kërkohen edhe dokumente identifikimi ose të dhëna bankare të prindërve/kujdestarëve.
Qeveria e pranon se sistemi nuk do të jetë perfekt, por vetëm në TikTok raportohet se rreth 200 mijë llogari janë çaktivizuar që në ditët e para, ndërsa “qindra mijëra” pritet të bllokohen së shpejti. Para hyrjes në fuqi të ligjit, rreth 86% e fëmijëve 8–15 vjeç në Australi përdornin rrjete sociale.
Pse u mor ky vendim?
Qeveria australiane justifikon ligjin me studime që lidhin përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale në moshat e vogla me:
-përkeqësim të shëndetit mendor,
-bullizëm online,
-ekspozim ndaj keqinformimit,
-presion për imazh trupor “të përsosur” dhe krahasime toksike.
Disa vende të tjera nga Danimarka te Zelanda e Re e deri në Malajzi kanë sinjalizuar se mund të studiojnë ose të marrin shembull modelin australian, duke e kthyer vendin në një test real për sa larg mund të shkojnë qeveritë në kufizimin e moshës, pa cenuar fjalën e lirë dhe inovacionin.
