Në mesatare, njerëzit udhëtojnë më shumë se disa vite më parë qoftë për kënaqësi apo për punë dhe pothuajse çdo muaj (më shumë a më pak) e gjejmë veten duke bërë një valixhe, edhe sikur vetëm për një fundjavë. Kështu që, teorikisht, jemi të gjithë “pro” në përgatitjen e bagazhit para nisjes… ose të paktën ashtu mendojmë. Megjithatë, pak këshilla për ta mbyllur valixhen sa më mirë, vlejnë gjithmonë.

Ja 15 rregullat e arta për të bërë valixhen.

1.Bëje valixhen 1–2 ditë përpara, jo natën para nisjes. Nxirr valixhen, fillo të vendosësh gjërat ngadalë dhe hiqi tepricat më pas.


2.Bëj një listë dhe kontrolloje dy herë. Shto gjëra gjatë ditëve para udhëtimit, jo në 10 minutat e fundit.


3.Mbaj gjithmonë gati disa “qese emergjence”: një për make up dhe higjienë, një mini-farmaci personale, një për gjërat e avionit (maskë gjumi, dezinfektues etj.). Vetëm i kap dhe i hedh në valixhe sa herë udhëton.


4.Përdor organizues për valixhen (ato qeset/kutitë e brendshme). Të ndajnë rrobat, të mbajnë të ndarë të brendshmet, rrobat e pista dhe ta bëjnë bagazhin më të rregullt dhe më pak “i fryrë”.


5.Vendos një pajisje gjurmimi në valixhen e dorëzuar në check-in. 


6.Mos merr rroba që s’i vesh asnjëherë në shtëpi. Në udhëtim, në 90% të rasteve, vesh gjërat që të bëjnë të ndihesh rehat dhe i kombinon lehtë.


7.Pesho valixhen në shtëpi, jo në aeroport. Shmang momentin klasik kur hap valixhen para të gjithëve për të hequr një palë atlete.


8.Produktet e lëngshme futi në qese plastike (tip qese ngrirjeje): shampo, maska, balsam, kremra. Një kapak i hapur mund të të shkatërrojë gjysmën e rrobave.


9.Nëse dorëzon valixhen, mendoje sikur do ta “hedhin”. Rrobat më delikate nga brenda, gjëra që thyen mbështilli mirë.


10.Gjërat më të rëndësishme mbaji gjithmonë me vete: dokumente, para, ilaçe, syze, bizhuteri, çelësa, absorbentë. Këto mos i vendos kurrë te valixhja e dorëzuar.


11.Mos merr dy palë të njëjta këpucësh. Më mirë 2–3 lloje të ndryshme që i ndërrojnë presionet te këmba dhe të kursejnë dhimbje shpine e gjunjësh.


12.Planifiko look-et paraprakisht. Mendo kombinime të plota për ditët kryesore. Veshjet “mos ndoshta më duhen” janë ato që zënë vend kot.


13.Çfarë është më voluminoze, vishe në avion: çizme, pallto, parka, xhaketë e rëndë. Kursen vend në valixhe dhe mund t’i heqësh sapo të ulesh.


14.Lër gjithmonë pak hapësirë të lirë. Edhe nëse nuk je tip “souvenir”, diçka do marrësh me vete. Më mirë boshllëk sesa panik në kthim.


15.Sapo të shkosh në shtëpi, zbraze valixhen. Laj rrobat, hidh ç’duhet hedhur dhe mos e lër të hapur ditë me radhë. Të rregullosh valixhen shpejt është si të mbyllësh bukur ciklin e udhëtimit dhe të jesh gati për të ardhshmin.