Nga Revista Story

Blerta Celibashi dhe princ Leka janë nga ato çifte që s’kanë nevojë të bëjnë zhurmë për të treguar elegancën dhe prezencën e tyre. Dashuria që kanë për njëri-tjetrin ndihet në ajër; kimia e tyre manifestohet që nga shikimi e deri te prekjet delikate, duke të bindur se ndjesia sublime e dashurisë ekziston, është e prekshme dhe zbukuron e transformon jetën e të gjithëve.

Kur çifti mbretëror më hapi dyert e banesës së tyre të thjeshtë, por të arreduar aq bukur, në një lagje të qetë të Tiranës, nuk prisja aq shumë shkëlqim dhe dritë në sytë e tyre. Të lumtur, të kujdesshëm, gazmorë dhe autentikë, Blerta dhe Leka, këtë herë të zhveshur nga kornizat e jetës dhe detyrave mbretërore, vijnë ndryshe – jo si një çift në një event, por si dy njerëz të dashuruar që po shijojnë Krishtlindjet e para si një familje e bukur dhe unike.

Kjo intervistë mua ma ka mbushur zemrën me dritë dhe shpresoj të vijë tek ti po aq e butë sa ndjesitë e çiftit mbretëror.

Krishtlindjet e para si familje
Kjo është hera e parë që ata festojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri si çift i konsoliduar. Ne, gjatë këtyre ditëve që kemi qenë pranë tyre, kemi ndjerë dashurinë dhe kiminë që i rrethon. Si po i përjetojnë këto festa?

Princ Leka rrëfen:

“Këto festa kanë një peshë të veçantë për ne, sepse po i përjetojmë si partnerë, por edhe si familje. Kudo na shoqëron një ndjenjë paqeje; ndihemi të bekuar, të mbështetur dhe vërtet të lumtur.
Është një kënaqësi e madhe t’i festojmë këto ditë edhe me Geraldinën dhe me nipërit dhe mbesën e Blertës, që janë thuajse në të njëjtën moshë. Fëmijët u japin festave një kuptim krejt tjetër. Viti i Ri për ne është një fillim i ri, plot shpresë dhe gëzim.”
Blerta shton me emocion:

“Ndiej të njëjtën gjë. Këto ditë më kanë mbushur zemrën me shumë emocion dhe falënderim. Të festoj pranë njerëzve që dua, të shoh harmoninë dhe gëzimin mes nesh, më bën të kuptoj edhe më shumë sa e çmuar është kjo periudhë.
Çdo moment e ndiej si një dhuratë të vogël dhe jam vërtet mirënjohëse për gjithçka që po ndërtojmë së bashku.”

Sekreti i lidhjes: gjestet e vogla
Ata flasin për dashurinë me një qetësi të bukur, pa pompozitet. Princ Leka e përshkruan kështu mënyrën si funksionon lidhja e tyre:

“Ajo kërkon vetëm respekt, vërtetësi dhe kohë të dedikuar. Kjo e bën lidhjen tonë kaq të fortë dhe të veçantë. Ne gjejmë gjithmonë kohë për njëri-tjetrin, pavarësisht axhendave të ngarkuara.
Ndonjëherë, kjo do të thotë një vakt i thjeshtë në shtëpi ose në ndonjë restorant dhe, ndonjëherë, vij unë në studio me laptopin tim, ndërsa ajo punon me fotot.”
Edhe pse Blerta ka arritje që shumë të tjerë do t’i tregonin me krenari, ajo zgjedh t’i mbajë pranë zemrës, pa i vënë në qendër të vëmendjes. Të jep gjithmonë përshtypjen e një vajze tejet të përulur, që rrezaton mirësi.

Kur i pyesim për “sekretin” e dashurisë së tyre, asnjëri nuk pret tjetrin të flasë. Janë në një mendje:

“Dashuria jonë gjendet në gjeste të vogla, nuk ka nevojë për shumë fjalë.”

Çfarë admirojnë te njëri-tjetri
Kur vjen fjala te tiparet, fytyra e Blertës i ndriçon:

Blerta për Lekën:

“I dua shpirtin e tij fëmijëror. Ajo brendësi e pastër dhe e butë që mbart, më bën ta dua edhe më shumë. Sidomos kur shoh fotot e tij kur ishte i vogël, ku kundroj të njëjtin shpirt të ndritshëm, të sinqertë dhe të ndjeshëm që ai ka edhe sot.
Sinqeritetin e tij (ndonjëherë i tepruar). Ai është nga ata njerëzit që e thonë të vërtetën pa filtra. Transparenca e tij është aq e sinqertë sa ndonjëherë më bën të qesh, ndonjëherë më habit, por gjithmonë e vlerësoj, sepse vjen nga një zemër e pastër.
Humori i tij i butë. Jo të gjithë e kuptojnë, por mua më bën të qesh edhe në ditët më të vështira.”

Leka për Blertën:

“Forca dhe pavarësia e saj. E admiroj mënyrën se si qëndron gjithmonë në këmbët e veta.
Inteligjenca sociale. Blerta di të jetë pranë çdo njeriu; të ulet këmbëkryq e të bisedojë me njerëzit e thjeshtë, me po aq natyrshmëri sa ka edhe prezencë në ambiente të një niveli tjetër.
Modestia. Ajo ka një shpirt të qetë, që nuk ka nevojë të tregojë asgjë me zë të lartë. Edhe pse ka arritje të mëdha, suksese që shumë të tjerë do t’i tregonin me krenari, Blerta zgjedh t’i mbajë pranë zemrës, pa i ekspozuar.”

Si është përshtatur Blerta me jetën pranë një princi, me eventet, ngjarjet e rëndësishme dhe protokollin që mbart kjo jetë ekskluzive?

“Muajt e fundit kanë sjellë shumë ndryshime në jetën time, por në thelb jam ende e njëjta Blertë. Jeta pranë princ Lekës ka qenë një udhëtim mësimi dhe përshtatjeje, ku çdo ditë më mëson diçka të re.
Edhe pse protokolli dhe eventet e rëndësishme nuk janë gjithmonë të lehta për t’u përballuar, mbështetja dhe durimi i Lekës e bëjnë gjithçka më të thjeshtë. Përpiqem të mbetem autentike dhe të respektoj përgjegjësitë e reja.”
Kohët e fundit, princ Leka është parë më aktiv në jetën e Tiranës dhe në aktivitete të ndryshme publike. Sa është ndikimi i Blertës në këtë ndryshim?

Blerta, duke qeshur:

“Nuk di nëse mund të marr merita, por e inkurajoj të ndajë më shumë me komunitetin.”
Leka e konfirmon:

Ndikimi i saj është i butë, por shumë i rëndësishëm. Ajo më jep energji dhe besim dhe kjo më bën natyrshëm më prezent.
Para se të ishim bashkë, nuk ngisja makinën vetë, isha më i rezervuar për udhëtime dhe shpesh hiqja dorë nga ftesat. Tani jam shumë më i hapur, më i gatshëm për përvoja të reja dhe kam zgjeruar dukshëm rrethin e miqve.”



Blerta vijon të punojë si fotografe, pavarësisht përgjegjësive të reja.

Fotografia më mban gjallë dhe më lidh me veten; më jep dinjitet dhe përgjegjësinë për të ruajtur dhe zhvilluar gjithçka që kam ndërtuar me pasion dhe sakrificë.
Ndonëse sot kam përgjegjësi të reja që më shtohen çdo ditë, puna nuk del kurrë nga prioritetet, sepse çdo përpjekje më afron drejt ëndrrave të mia dhe më kujton se lumturia dhe suksesi lindin nga ndjenja e plotësimit që vjen nga vetja, për veten.”
Princ Leka është fansi i saj më i madh:

E admiroj shumë punën e saj. Fotot e saj janë të jashtëzakonshme dhe e inkurajoj ta vazhdojë, sepse pasioni është pjesë e asaj që e bën Blertën kaq unike.
Balanson bukur punën tonë dhe angazhimet shoqërore e publike. Edhe unë kam përfituar; rrjetet e mia sociale janë bërë dukshëm më profesionale dhe më të hapura ndaj publikut dhe miqve tanë.”

Princ Leka, i pranishëm si në Tiranë, ashtu edhe në pritjet diplomatike jashtë vendit, tregon se ku ndihet më shumë “në shtëpi”:

Shtëpia është aty ku ka qëllim dhe ku janë njerëzit që dua. Tirana është pa dyshim shtëpia ime, por gjithsesi, kudo ku mund të shërbej dhe të përfaqësoj Shqipërinë me dinjitet, ndihem po aq mirë.
Sa i përket punës, shpesh ndihem më i sigurt në aktivitetet jashtë vendit; aty kam krijuar rrjetin tim të bashkëpunimeve dhe marrëdhënieve diplomatike ndër vite.”
Për pritjet diplomatike, ai shton:

Varet nga natyra e aktivitetit – përvjetor historik, ditëlindje zyrtare, apo evente humanitare e kulturore. Familjet mbretërore dhe organizatat ndërkombëtare kanë misione të qarta, të cilat pasqyrohen edhe në këto ceremoni.
Me rritjen e interesit ndërkombëtar për Shqipërinë, shumë prej angazhimeve të mia lidhen natyrshëm me promovimin e kulturës, historisë dhe potencialit të vendit tonë, shpesh të ndërthurura edhe me punën e Fondacionit ‘Mbretëresha Geraldine’.
Pas çdo pritjeje ka shumë përgatitje, koordinim, takime dhe diskutime. Por përtej protokollit, ajo që mbetet janë momentet njerëzore; bisedat për bashkëpunim, synime të përbashkëta dhe miqësi që lindin natyrshëm. Në thelb, këto evente shërbejnë për të ndërtuar ura.”

Si ka ndryshuar jeta e tyre që nga momenti i njohjes?

Blerta është shumë e qartë:

“Jeta ime ka marrë më shumë kuptim. Megjithatë, kemi kaluar disa sfida, sidomos në fillim, kur u gjenda papritur përpara opinionit publik në një dritë të shtrembëruar dhe ishte një tronditje e vërtetë.
Gjatë këtyre dy viteve jam rritur shumë, jam bërë më e ndërgjegjshme për njerëzit rreth meje. Humba disa miq, fitova të tjerë dhe më e rëndësishmja, fitova një jetë të lumtur, të paqtë dhe me plot dashuri.”
Leka e përmbledh shkurt, por fort:

“Kam ndryshuar tërësisht. Ndihem më i gjallë, më i qetë dhe më i lumtur. Edhe unë kam kaluar fazën time të tranzicionit, por, njësoj si Blerta, kam krijuar marrëdhënie shumë më të forta dhe kam gjetur paqen që nuk e dija se ekzistonte.”

Si e gjejnë ekuilibrin mes detyrave mbretërore, atyre shoqërore dhe romancës?

Me disiplinë, komunikim dhe shumë humor. Ka ditë më të ngarkuara se të tjerat, por ne ruajmë gjithmonë kohë për njëri-tjetrin – qoftë një darkë e qetë në shtëpi, një shëtitje, apo një bisedë e gjatë në fund të ditës.
Ekuilibri vjen duke e vendosur dashurinë në qendër, pavarësisht përgjegjësive. Më e rëndësishmja është që e duam atë që bëjmë, sidomos kur shohim buzëqeshjet e fëmijëve që ndihmojmë përmes fondacionit.”
Për dasmën, nuk duan të zbulojnë shumë:

“Disa surpriza duam t’i mbajmë për vete. Ajo që mund të themi është se jemi gati për emocione të reja dhe planet nuk janë të largëta.”

Disa pyetje të shpejta festive:

Ku do t’ju gjejë nata e Krishtlindjes?
Leka: “Natën e Krishtlindjes do ta kalojmë pranë familjes, në Tiranë.”

Kush gatuan?
Leka (duke qeshur): “Gatuajmë të dy, por Blerta ka më shumë talent, ndërsa unë mendoj se kam më shumë entuziazëm gjatë procesit.”

Kush zgjedh destinacionin e pushimeve?
Blerta: “Shpesh, në varësi të punëve dhe eventeve zyrtare të Lekës, të planifikuara shumë më herët, ndajmë disa ditë shtesë për të shijuar vendin dhe kohën me njëri-tjetrin.
Por ka edhe udhëtime që nuk kërkojnë shumë planifikim; janë pikërisht ato spontanet, kur hipim në makinë dhe rrugës vendosim për destinacionin.”