
Mes vreshtave piktoreskë në jug të Francës, mes një fundjave të qetë me George Clooney-n në Château de Canadel, Amal Clooney sapo ka dërguar një mesazh shumë të qartë mode: këtë dimër, palltoja e gjelbër është në qendër të vëmendjes.
Juristja e famshme ka rikthyer në skenë një klasike të nënvlerësuar të sezonit të ftohtë pallton në nuancë ulliri. Elegante, e rafinuar dhe paksa “ndryshe” nga e zeza, bluja apo kafeja, ajo është pikërisht ai lloj që të nxjerr nga rutina pa të nxjerrë nga eleganca.
Amal e ka zgjedhur në version të shkurtër, diku në mes të kofshës. Model dopiopeto, me kopsa argjendi, siluetë të butë dhe reverë të gjerë një pallto që përqafohet bukur me trupin, pa qenë e ngushtë, dhe që bie në sy.

Për fundjavën në Provence, ajo e ka kombinuar me pantallona të zeza të ngushta dhe një pulovër të gjatë me jakë golf në ngjyrë kremi, me teksturë të endur që i jep pamjes një prekje luksi. Look-un e ka kompletuar një palë çizme Chelsea prej lëkure të zezë dhe syze dielli oversize formula perfekte për një stil chic, komod dhe absolutisht fotogjenik.
Për muajin dhjetor dhe gjithë dimrin që vjen, palltoja e gjelbër në stilin e Amal Clooney-t duket si një nga investimet më të zgjuara: e ngrohtë dhe njëkohësisht në linjë të plotë me tendencat. Një pjesë veshjeje që mund ta mbash deri në ditët e para të pranverës, pa u lodhur prej saj.
