Jo, Richard Gere nuk ka fituar kurrë një Oscar dhe për një ikonë të Hollywood-it kjo tingëllon pothuajse si blasfemi. Por pjesa më e çuditshme është se ai nuk ka qenë asnjëherë as i nominuar, pavarësisht rolit të tij në filma si Chicago apo Days of Heaven. Po aq i çuditshëm është edhe fakti sa rrallë është shfaqur në ceremoninë më të madhe të kinemasë botërore.

Kulmi i “dramës” ndodhi në vitin 1993. Gere ngjitet në skenë për të dhënë çmimin për Skenografinë më të Mirë dhe, në vend të një fjale klasike glamur, ai shfrytëzon podiumin për të dënuar publikisht Kinën dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Tibet.

Kaq mjaftoi për të hapur qiellin. Producenti i Oscars, Gil Cates (i ndjerë, që nga viti 2011), e kritikoi ashpër fjalimin, duke e cilësuar “arrogant” dhe sipas asaj që është rrëfyer më pas në media është shprehur se nuk do ta ftonte më kurrë në ceremoni.

Këtu lind pyetja që qarkullon prej vitesh: a u “përjashtua” vërtet Richard Gere nga Oscars?

Faktet thonë këtë: pas asaj mbrëmjeje të bujshme në 1993, aktori nuk u pa më në tapetin e kuq të Oscars për gati një dekadë. U rikthye vetëm në vitin 2003, dhe sërish në 2013, kur u ngjit përsëri në skenë në mënyrë krejt të qetë, pa asnjë shenjë “ndalimi zyrtar”.

Pra, nuk ka asnjë provë se ka ekzistuar një vendim formal për ta përjashtuar nga Akademia. Por është po aq e qartë se fjalimi i tij politik, në një skenë ku Hollywood-i preferon glamurin para “shuplakave” diplomatike, e bëri për shumë kohë një figurë të padëshiruar në sallën më të famshme të kinemasë.

Rezultati? Sot, historia e Richard Gere dhe Oscars mbetet një kombinim mes faktit, legjendës dhe dënimit “jozyrtar” që Hollywood-i di ta bëjë më së miri: të të lërë jashtë dritave, pa ta thënë kurrë me zë.